Nënshkruhet marrëveshja për fuqizimin e rinisë përmes edukimit joformal
Në kabinetin e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është nënshkruar të enjten një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën joqeveritare “George Williams Associaton in Kosovo”.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është përcaktimi i angazhimeve të ndërsjella në mes të MKRS-së dhe OJQ George Williams Association in Kosovo në fuqizimin e rinisë në Kosovë dhe zbatimin e projektit “Qendra rekreative për fëmijë dhe të rinj”, me lokacion në fshatin Pjetërshan në Komunën e Gjakovës, si dhe promovimin e edukimit jo formal si element shumë i rëndësishëm në zhvillimin e të rinjve në vendin tonë.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka thënë se MKRS-ja do të vazhdojë në mbështetje të të rinjve me qëllim të krijimit dhe përmirësimit të kushteve për zhvillimin e aktiviteteve rinore.
Po ashtu ai ka theksuar se përmes nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve po synohet që të promovohet edhe më tutje Ligji për Fuqizim dhe Pjesëmarrje të Rinisë.
“Zbatimi i këtij projekti ofron një platformë dhe infrastrukturë fizike me kushte shumë të mira për zhvillimin e aktiviteteve për fëmijët e të gjitha shkollave dhe të rinjtë e të rejat nga komunitetet pakicë, personat me aftësi të kufizuara, organizatat e shoqërisë civile dhe institucionet shtetërore”, është shprehur ministri Gashi.
Ndërsa drejtoresha e organizatës “William Youth Association in Kosovo”, Dorina Davies, u shpreh e lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, duke thënë se do të vazhdojnë të punojnë intensivisht që nëpërmjet aktiviteteve dhe pjesëmarrjes në vizita studimore të ndikojnë në ngritjen e kapaciteteve të institucioneve kosovare për udhëheqjen e qendrave të tilla.