Nënshkruhet marrëveshja për fushën e energjisë mes Kosovës dhe Maqedonisë
Përfaqësuesi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Arsim Janova dhe kryetari i
Komisioni Rregullativ për Energji dhe Ujë (KRRE) i Republikës së Maqedonisë Veriore Kryetari i Komisionit të KRRE, Marko Bislimoski, kanë nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi. Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje shpreh interesin e përbashkët të të dy institucioneve për të bashkëpunuar në përmbushjen e obligimeve të tyre për rregullimin e sektorëve të energjisë të të dyja vendeve. Përmes nënshkrimit të kësaj marrëveshje, të dy autoritetet rregullative janë pajtuar që të shkëmbejnë informata mbi praktikat e aplikuara, gjatë përmbushjes së obligimeve që janë në interes të përbashkët publik të të dyja vendeve. Shkëmbimi i përvojave do të aplikohet në fushën e Politikave rregullative në sektorin e energjisë, përvojave në monitorimin e aktiviteteve të licencuara, metodologjitë e aplikuara në përcaktimin e tarifave për aktivitetet energjetike, ndërtimin e gjeneratorëve të rinj të BRE-ve dhe mënyrat e mbështetjes së projekteve nga BRE-të, si dhe praktika të tjera të aplikuara që do të ndihmojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të të dy institucioneve”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.
Me këtë rast, ushtruesi i detyrës së Kryesuesit të Bordit të ZRRE, Arsim Janova, ka deklaruar se me nënshkrimin e kësaj marrëveshje po konkretizohet bashkëpunimi në mes të dy rregullatorëve.
Ky bashkëpunim, siç ka theksuar ai, nuk ka munguar edhe në të kaluarën, posaçërisht në grupet e ndryshme punuese të Komunitetit të Energjisë ku të dy institucionet janë anëtare. Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit në aspektin e transpozimit të direktivave të Bashkimit Evropian në kornizën rregullative të të dy vendeve.
Kryetari i Komisionit të KRRE, Marko Bislimoski, duke falënderuar përfaqësuesit e ZRRE-së për mikpritjen, ka theksuar se me nënshkrimin e marrëveshjes po zyrtarizohet bashkëpunimi në mes dy rregullatorëve, veçanërisht të aktiviteteve në kuadër të Komunitetit të Energjisë, ku të dy rregullatorët kanë interesat e përbashkëta pasi që po ashtu si dy vende fqinje kanë edhe problemet e njëjta.
Përfaqësuesit e të dy rregullatorëve janë pajtuar që organizimet e ardhshme në kuadër të bashkëpunimit të jenë në nivelin teknik të ekspertëve, ku do të shkëmbehen përvojat dhe ekspertizat e aplikuara në trajtimin e çështjeve të ndryshme të rregullimit të sektorit të energjisë në Republikën e Kosovës dhe në Republikën e Maqedonisë Veriore.
/Epoka e re/