Nënshkruhet marrëveshja për hapjen e puseve për ujë të pijshëm
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe kryeshefi ekzekutiv i Hidroregjionit jugor, Besim Baraliu, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëfinancimi për “hapjen e puseve piezometër dhe puseve eksploatuese” në fshatrat Temeqinë, Bellanicë, Llapqevë dhe fshatrave tjera, sipas nevojave në këtë komunë.
Kjo marrëveshje është nënshkruar, me qëllim të hapjes së këtyre puseve, pasi nevoja për ujë të pijes është e madhe, sikur edhe shtimi i kapaciteteve të ujit, sasisë dhe kualitetit të ujit, dhe zgjerimi i rrjetit të ujit në fshatrat ku nuk ka rrjet të ujësjellësit.
Sigurimi i ujit për pije për të gjitha vendbanimet e Komunës së Malishevës, është prej prioriteteve të veçanta, dhe për këtë qëllim, kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj, është duke bërë përpjekje të shumta, që përmes projekteve të ndryshme, të rritë kapacitetet dhe të zgjeroj rrjetin e ujësjellësve, në mënyrë që fshatrat e Komunës së Malishevës, të jenë të furnizuara me ujë.
/Epoka e re/