Nënshkruhet marrëveshja për huazimin e 300 qelive të burgut për Danimarkën
Në objektin e Qeverisë së Kosovës, është nënshkruar të hënën një dokument sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës.
Të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit të këtij dokumenti kanë qenë përfaqësues nga Mbretëria e Danimarkës, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu si dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Ministrja Haxhiu ka thënë se Kosova është vlerësuar në aspektin e sundimit të ligjit, dhe sipas saj për këtë arsye është përzgjedhur. “Në Qendrën Korrektuese do të vendosen 300 të burgosur në një afat 5+5”, ka thënë Haxhiu, e cila njoftoi se detajet më të hollësishme do të jepen më vonë.
Ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Hakkerup, ka thënë se nga marrëveshja do të përfitojnë të dy palët.
Ai ka përmendur mungesën e hapësirave në burgjet e Danimarkës, duke falënderuar Kosovën për mundësinë e zhvendosjes së të burgosurve.
“Sapo nënshkruam një letër-qëllim. Këtë e shohim si një gurthemel për marrëveshjet e ardhshme. Nga kjo marrëveshje do të përfitojnë të dyja palët. Shërbimi Korrektues i Danimarkës është i mbingarkuar dhe për ketë kemi kontaktuar para një viti Qeverinë e Kosovës. Kemi kërkuar ndihmë nga disa vende për ta zgjidhur këtë problem, por Kosova ka qenë vendi i parë që ka reaguar pozitivisht ndaj kërkesës tonë dhe është angazhuar pozitivisht më pas në dialog për këtë çështje”, ka thënë Hakkerup.
Ai ka pohuar se qendrat e paraburgimit do të menaxhohen sipas ligjeve të Danimarkës.
“Menaxhimi do të jetë nën lidershipin e autoriteteve të Danimarkës, por do të ketë trajnim edhe për stafin vendas. Danimarka do të respektojë të gjitha ligjet sa i përket sistemimit dhe trajtimit të burgosurve”, ka deklaruar Hakkerup.
Ministria e Drejtësisë para disa ditësh ka njoftuar të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë.
Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme.
Nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi.
Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetëvjeçare.