Nënshkruhet marrëveshja për huazimin e kamerave nga KQZ-ja e Shqipërisë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës (KQZ) dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë kanë nënshkruar marrëveshjen bashkëpunimi për huazimin e kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar në Tiranë dhe në emër të dy institucioneve kanë nënshkruar kryetari i KQZ-së së Kosovës, Kreshnik Radoniqi dhe komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, Ilirjan Celibashi.
Nëpërmjet kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit do të bëhet e mundur huazimi i 50 kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë, të cilat do të përdoren gjatë proceseve të ndryshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë si dhe gjatë rinumërimit eventual të vendvotimeve.
Me këtë rast, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se përdorimi i kamerave regjistruese në QNR do të ndihmonte KQZ-në në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe kandidatëve në aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër.
Ai ka kujtuar se në QNR zhvillohen disa procese të rëndësishme pas ditës së zgjedhjeve, siç janë numërimi i votave me kusht, votave me postë dhe rinumërimi i vendvotimeve, prandaj monitorimi më i madh i këtyre aktiviteteve do të ndihmonte KQZ-në për ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve.
Ndërsa komisioneri shtetëror i Zgjedhjeve të Shqipërisë, Ilirjan Celibashi, ka thënë se shteti shqiptar, në zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur më 25 prill, ka përdorur kamerat në të gjitha qendrat e votimit dhe kjo sipas tij ishte një garanci e shtuar për procesin zgjedhor.
Drejtuesit e dy institucioneve janë dakorduar për vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen, të cilat kanë për qëllim rritjen e përformancën se administratës zgjedhore dhe standardeve zgjedhore.