Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e rezidencës për ambasadorin e ShBA-së në Kosovë

29 qershor 2021 | 15:18

Komuna e Prishtinës ka nënshkruar marrëveshje me Ambasadën Amerikane për dhënie në shfrytëzim të pronës së paluajtshme komunale me një sipërfaqe prej 8 340 metrash katrorë për ndërtimin e rezidencës së re për ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Prishtinë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes morën pjesë kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, si dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett.

“Është kënaqësi për ne që të shprehim edhe një herë mirënjohjen tonë për gjithçka që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë për vendin tonë. Me Ambasadën dhe Rezidencën e re të Shteteve të Bashkuara ne tregojmë atë që është vendosur e bërë e qartë nga ShBA-ja qysh vite më parë, që është një prej partnerëve tanë më të afërt dhe është këtu për të qëndruar. Për të qëndruar me ne, në këtë tranzicion dhe për ta zhvilluar shtetin tonë, edhe ne jemi mirënjohës për këtë. Jam mirënjohës edhe ndaj Kuvendit Komunal si dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme përmes të cilave është adresuar kërkesa, andaj ju faleminderit edhe një herë. Ajo që dua të theksoj është se kryetarët e ambasadorët shkojnë dhe vijnë. Ato që mbeten për qytetarët janë institucionet dhe ne duhet të punojmë t’i fuqizojmë këto, andaj jam i lumtur që kemi pasur fatin të jemi nënshkrues të një marrëveshjeje që ka këtë qëllim”, ka thënë kryetari Shpend Ahmeti.

Ndërkaq ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se sot në emër të popullit amerikan, i shpreh falënderimet për kryetarin Ahmeti, Kuvendin Komunal dhe popullit të Prishtinës, që siguruan qasje në tokën mbi të cilën do të ndërtohet rezidenca e re për ambasadorin e ShBA-së.

“Një rezidencë moderne, e cila do të jetë vendtakim për kosovarët e të gjitha komuniteteve që të bashkohen me miqtë e tyre amerikanë për të shkëmbyer ide dhe për të punuar së bashku për ndërtimin e një të ardhme të paqes, drejtësisë dhe prosperitetit për të gjithë njerëzit në Kosovë”, ka thënë Kosnetti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar një…