Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”
Republika e Kosovës dhe kompania amerikane “Contour Global” kanë nënshkruar sot marrëveshjen për nderimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global”.
Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshje kanë marrë pjesë përfaqësuesit më të lartë të shtetit të Kosovës.
Në një fjalim para nënshkrimit të marrëveshje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar se sot është një ditë historike për vendin, pasi sipas tij, pas 16 vitesh të përpjekjeve është arritur nënshkrimi i marrëveshjes për ndërtimin e termocentralin “Kosova e Re”.
“Marrëveshja përfundimisht e zgjidhë një problem qenësor për Kosovën. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky investim me një vlerë mbi 1 miliard euro, vetëm në fazën e parë të projektit do të krijojë 10 mijë vende të reja të punës”, ka deklaruar Thaçi,
Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e ka quajtur moment të veçantë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje.
Sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë është e rëndësishme të bëhet dhe pavarësimi ekonomik.
Në anën tjetër kryeministri Ramush Haradinaj, ka falënderuar të gjithë ata që kanë punuar për jetësimin e kësaj marrëveshje.
Më tutje, ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka thënë se ky është një projekt i madh që do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të Kosovës.