Nënshkruhet marrëveshja për njohjen e patentshoferëve mes Kosovës dhe Italisë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, njoftoi se është nënshkruar marrëveshja në Romë për njohjen e ndërsjellë të patentë shoferëve mes atyre kosovare dhe italiane.
“Me zëvendësministrin e Infrastrukturës dhe të Mobilitetit të Qëndrueshëm në Republikën e Italisë z. Edoardo Rixi, sapo nënshkruam në Romë marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të patentshoferëve të shteteve tona. Njohja e patentshoferëve do të lehtësojë jetën dhe do të jetë një lirim edhe nga barra ekonomike e këtij procesi që e ka rënduar mërgatën deri më tash. Finalizimi i këtij procesi të rëndësishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë riafirmon raportet e shkëlqyeshme që gëzojmë si Republikë e Kosovës me Republikën e Italisë”, ka shkruar Sveçla në “Facebook”.
Ai ka thënë se ky është një hap i rëndësishëm për mërgatën tonë të cilët asnjëherë nuk u ndalën së mbështeturi ekonomitë familjare e buxhetin e Republikës sonë.
“Sakrifica dhe angazhimi tyre është pjesë e pandashme e çlirimit, krijimit dhe zhvillimit të shtetit tonë. Urime të gjithë qytetarëve tanë që jetojnë në Itali. Ambasada dhe konsullata jonë në Itali ashtu si edhe zyrtarët tanë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, janë në dispozicionin tuaj për realizimin efikas të kësaj marrëveshje”, ka shkruar ministri Sveçla.