Nënshkruhet marrëveshja për operimin e Fondit në sektorin privat
Gjatë pjesëmarrjes së tij në Forumin për Zhvillim të organizuar nga Fondi OPEC, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe drejtori gjeneral i Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar, Abdulhamid Alkhalifa, kanë nënshkruar marrëveshjen për operimin e Fondit në sektorin privat
Marrëveshja synon të krijojë një kornizë adekuate për funksionimin e Fondit OPEC në sektorin privat, dhe si e tillë të mobilizojë financimin dhe investimet në këtë sektor.
Në këtë drejtim, ministri Murati ka theksuar se me anë të kësaj marrëveshje parashihet të mobilizohet më tutje potenciali në likuiditetin e bankave tona përmes programeve të ndarjes së rrezikut dhe ky likuiditet të drejtohet edhe në sektorin privat, e veçanërisht drejt NVM-ve dhe bizneseve të grave.
Drejtori gjeneral nga Fondi OPEC ka vlerësuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe ka theksuar përfitimet për sektorin privat, si kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë së vendit.
Ai gjithashtu ka falënderuar ministrin Murati për bashkëpunimin e theksuar dhe pjesëmarrjen e tij në forum.
Në anën e tij, drejtuesi i OPEC-ut për Sektorin Privat ka shprehur gatishmërinë e zhvillimit të mundësive të bashkëpunimit me sektorin privat në Kosovë, duke theksuar se programet e Fondit OPEC përkojnë ngushtë me nevojat e tregut kosovar.
Forumi “Qëndrueshmëria dhe Barazia Ekonomike” është Forumi i parë i Fondit OPEC për Zhvillim dhe ka për qëllim diskutimin e ndryshimeve klimatike, qasjen në energji dhe sigurinë ushqimore.
Ky forum ka mbledhur liderë qeveritar, ministra nga vendet anëtare dhe partnere të Fondit OPEC, krerët e institucioneve të Grupit Koordinues Arab, zyrtarë të lartë të bankave zhvillimore dhe organizatave ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të sektorit privat.