Nënshkruhet marrëveshja për Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren

10 qershor 2022 | 11:23

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, dhe drejtori i GIZ Kosova, David Oberhuber dhe menaxheri i projektit ITP Hans-Juergen Cassens kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëfinancimit për projektin “Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren (ITP)”.

Kjo marrëveshje kap vlerën prej 11 milionë euro, prej të cilave kontributi financiar nga Qeveria e Kosovës është 6 milionë euro, kurse 5 milionë euro janë kontribut i qeverisë gjermane.

Parku ITP është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që synon krijimin e një mjedisi inovativ biznesi për ndërmarrjet e vogla, të mesme dhe të mëdha (NVMM), i cili pritet të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës.

Ministri Murati e ka vlerësuar lartë bashkëpunimin e vazhdueshëm me qeverinë gjermane, duke theksuar rëndësinë e veçantë të ITP-së, si një projekt që paraqet mundësi të mirë zhvillimi për bizneset në vend.

Më tutje, Murati ka thënë se ky projekt do të ndikojë ndjeshëm në hapjen e vendeve të reja të punës, pasi kontribuon në krijimin e sinergjisë midis sektorëve të ndryshëm që ndodhen në park.

Ndërsa drejtori i GIZ Kosova, David Oberhuber, ka përshëndetur angazhimin e Qeverisë së Kosovës për financimin dhe realizimin e përbashkët të një projekti kaq të rëndësishëm.

ITP-ja aktualisht prezanton projektin kryesor të bashkëpunimit të qeverisë gjermane me atë të Kosovës.

Parku i Inovacionit dhe Trajnimit në Prizren është lokacioni më unik në rajon për ndërmarrësi inovative, biznes dhe zhvillim të aftësive, i cili do të nxitë bashkëpunimin dhe zhvillimin e ekosistemit, duke krijuar lidhje midis sektorit publik, atij privat, institucioneve akademike dhe organizatave të shoqërisë civile.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Khloe Kardashian pati mbështetjen e motrave të saj gjatë episodit…