Nënshkruhet marrëveshja për restaurimin e Qendrës Historike të Prizrenit
Në kryeqytetin historik të Prizrenit, vendim që tashmë e ka marrë Qeveria e Kosovës, të hënën u nënshkrua letra e marrëveshjes për hartimin e planit për revitalizimin dhe integrimin socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën “Marin Barleti” në Prizren.
Marrëveshja u nënshkrua ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuesit special të BE-së, Komunës së Prizrenit, Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe OJQ “Ec Ma Ndyshe”.
Kjo marrëveshje parasheh realizimin e projektit në përputhje dhe duke përmbushur objektivat e Strategjisë Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës (2017-2027) dhe ka për qëllim hartimin e një dokumenti strategjik për menaxhim dhe mirëmbajtje të trashëgimisë kulturore dhe rikthim të qëndrueshëm dhe integrim të komunitetit lokal nëpërmjet zhvillimit ekonomik; përgatitjen e projekteve preliminare për restaurimin e 14 ndërtesave të trashëgimisë kulturore në rrugën “Marin Barleti”; përgatitjen e projektit preliminar të dizajnit urban për rrugën “Marin Barleti” që përfshin aspektet teknike dhe mobilerinë urbane.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili e nënshkroi këtë marrëveshje në emër të MKRS-së, vlerësoi se nënshkrimi i marrëveshjes shumëpalëshe bëhet konfrom zbatimit të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe në përputhje me obligimet dhe detyrat zyrtare.
“Me rastin e nënshkrimit të letrës së marrëveshjes po tregojmë qartë vullnetin dhe gatishmërinë tonë për të ndërmarrë disa veprime konkrete për Qendrën Historike të Prizrenit”, ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se në zbatim të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ai si ministër në vazhdimësi kanë qenë të angazhuar për procesin e inventarizimit dhe dhënies së statusit të mbrojtjes së përkohshme për asetet e trashëgimisë kulturore, ndërmarrjes së masave preventive-intervenime emergjente.
Ministri Gashi ka njoftuar për veprimet që ka ndërmarrë MKRS-ja për trajtimin, konservimin dhe restaurimin e objekteve të trashëgimisë si dhe për rritjen e buxhetit në këtë sferë.
“Në vitin që lamë pas janë trajtuar 21 ndërtesa nga ana e QRTK-së në Prizren si institucion në vartësi të MKRS-së, kurse gjatë këtij viti kanë filluar së zbatuari edhe dhjetëra projekte konservuese-restauruese në QHP; QRTK e Prizrenit ka në dispozicion rreth një milion euro për ndërhyrje restauruese konservuese si dhe intervenime emergjente për QHP-në”, është shprehur ministri Gashi, duke theksuar faktin se me të marrë detyrën si ministër e ka shumëfishuar buxhetin për QHP-në në përputhje me kërkesat dhe nevojat kjo qendër.
Ministri Gashi ka thënë se MKRS-ja ka mbështetur financiarisht shoqërinë civile për përgatitjen e Planit të Menaxhimit për QHP-në.
“Unë si ministër i MKRS-së e vlerësoj lart gatishmërinë e palëve të përfshira në këtë proces, në këtë rast Zyrës së BE-së, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar si dhe Komunës së Prizrenit për nënshkrimin e kësaj letër marrëveshje, por dua ta potencoj faktin se duhet së shpejti ta nënshkruajmë memorandumin e bashkëpunimit ku do të definoheshin qartë të gjitha detyrat dhe përgjegjësit e secilit institucion veç e veç duke marrë për sipër obligimet dhe barrën që na takon”, ka thënë ministri Gashi.