Nënshkruhet marrëveshja për revitalizimin e objektit të braktisur në lagjen e Kacallarëve në Prishtinë
Nënkryetari i komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi, dhe përfaqësuesit e konsorciumit të organizatave Shtatëmbëdhjetë, Cultural Heritage without Borders/Fondacioni Trashëgimia pa Kufij (CHwB) dhe Qendra Multimedia kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për revitalizimin e objektit të braktisur në lagjen e Kacallarëve në Prishtinë.
Marrëveshja përveç revitalizimit të vetë objektit, parasheh edhe shndërrimin e këtij objekti në hapësirë shumëfunksionale dhe Qendër të Artit për komunitetin, ku edhe do të ofrohen programe vjetore në fushën e artit, kulturës, trashëgimisë kulturore e aktivizmit qytetar.
Objekti gjendet në njërën prej lagjeve më të vjetra të kryeqytetit dhe është ndërtuar shekullin e kaluar nga atdhetari Shyqri Begu.
Përgjatë viteve është shfrytëzuar për destinime të ndryshme, ku pas Luftës së Dytë Botërore ka qenë burg i policisë serbe e më vonë klub i boksit, në vitet e ‘60’ta i shërbeu Entit të Botimeve kurse më vonë u shfrytëzua si objekt banimi.
/Epoka e re/