Nënshkruhet marrëveshja për vendosjen e një radari në Aeroportin e Gjakovës
Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha dhe drejtori i Agjencisë së Shërbimeve të Navigacionit Ajror, Bahri Nuredini, kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e radarit në hapësirën e Aeroportit të Gjakovës.
Kjo marrëveshje është nënshkruar bazuar në vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 14/98, të datës 18 prill 2019, për dhënien në shfrytëzim në kohë të pacaktuar të Aeroportit të Gjakovës për nevojat strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
“Instalimi i këtij radari në Aeroportin e Gjakovës do të ngritë edhe më tej sigurinë e fluturimeve civile dhe ushtarake në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës dhe është një hap me rëndësi të veçantë në normalizimin e plotë të hapësirës sonë ajrore, në bashkëpunim me NATO-n”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
/Epoka e re/