Nënshkruhet marrëveshja që ka synim punësimin e të rinjve në Kaçanik
Nënkryetari i Komunës së Kaçanikut, Ylber Bajra, dhe Shqipe Breznica, koordinatore e projektit nga organizata “Help”, kanë nënshkruar një marrëveshje të bashkëpunimit në kuadër të programit trajnues: “Programi i trajnimit për vetëpunësim”.
Ky program është i financuar nga projekti i USAID-it EMPOWER sektori privat, në partneritet me Agjencinë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).
Në bazë të marrëveshjes së arritur, Komuna e Kaçanikut dhe organizata “Help” do të bashkëpunojnë me qëllim të nxitjes së punësimit dhe ndërmarrësisë tek të rinjtë e cenueshëm dhe me mundësi të kufizuara ekonomike të kësaj komune.
Gjithashtu Komuna e Kaçanikut do të bashkëfinancojë këtë program lidhur me aktivitetet që do që do të zhvillohen në këtë komunë. “Programi i trajnimit për vetëpunësim” mbështetet në idenë se përkrahja e të rinjve të Kosovës në ndërmarrësi ua mundëson atyre t’i zhvillojnë shkathtësitë që do të rrisin mundësitë e tyre për punësim dhe jetesë të qëndrueshme.
Përveç Komunës së Kaçanikut, ky program do të zbatohet edhe në Gjilan, Han të Elezit dhe Viti. “Programi i trajnimit për vetëpunësim” do të zbatohet nga “Help” gjatë 15 muajve të ardhshëm.
/Epoka e re/