
Nënshkruhet marrëveshje mirëkuptimi për fuqizimin e grave në Podujevë
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi bashkë me drejtoreshën ekzekutive të Fondacionit Jahjaga, Egzona Bexheti, kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi për bashkëfinancimin e projektit “Fuqizimi i grave nga komunitetet e margjinalizuara me aftësi sipërmarrjeje dhe profesionale-faza II”.
Ky projekt është duke u implementuar nga Fondacioni Jahjaga me mbështetjen e donatorëve.
Shuma totale e projektit është 40,000.00 dollarë, ndërsa Komuna e Podujevës zotohet për mbështetje financiare në vlerë 1,000.00 euro me qëllim fuqizimin ekonomik të grave të Komunës së Podujevës.
Kryetari Bulliqi e ka falënderuar Fondacionin Jahjaga për kujdesin që po tregon ndaj grave.
“Kjo marrëveshje mirëkuptimi sot ka pikërisht këtë qëllim që të ndihmojë në fuqizimin e grave nga komunitetet e margjinalizuara e që kanë aftësi sipërmarrjeje dhe profesionale”, theksoi kryetari Bulliqi.
Gjatë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje prezent ishte edhe Nënkryetarja e Komunës, Marigona Lahu.
Faza e parë e këtij projekti ka përfshirë ngritjen e kapaciteteve përmes programit të trajnimit për aftësim profesional në industrinë e bukurisë dhe rrobaqepësisë (3 muaj).
E në fazën II synohet që grave përfituese t’u ofrohen shërbime ndërmjetësimi në punë, duke u bërë urë lidhëse me kompani të shumta të kontraktuara në fusha përkatëse.
Projekti realizohet në katër komuna të Kosovës, Podujevë, Fushë-Kosovë, Klinë dhe Novobërdë.