Shoqata e Sigurimeve të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi

17 korrik 2018 | 11:24

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (SHSK), Sami Mazreku, së bashku me kryetaren e Shoqatës së Sigurueseve të Shqipërisë, Fitnete Sulaj, kanë nënshkruar të martën në Tiranë një memorandum bashkëpunimi.

Marrëveshja e nënshkruar ka për qëllim mbrojtjen e interesit të kompanive të sigurimeve, promovimin e integritetit, stabilitetit dhe efikasitetit të Industrive të Sigurimit, si dhe vendosjen e formave të bashkëpunimit ndërmjet palëve për të përmirësuar veprimtarinë respektive të interesave që ato përfaqësojnë, mbi bazën e barazisë dhe të paanësisë.

Përmes këtij memorandumi palët do të punojnë së bashku për të identifikuar dhe adresuar asistencë trajnuese dhe teknike për të zhvilluar tregun e sigurimeve në Shqipëri e Kosovë.

Po ashtu përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit, palët do të zgjerojnë dhe lehtësojnë shkëmbimin e njohurive përmes seminareve, trajnimeve, konferencave, vizitave konsultative të ekspertëve të palëve përkatëse, shkëmbimin e praktikave të mira si dhe dokumentacionit përkatës. “Gjatë diskutimit, përfaqësues të shoqatave nga të dyja shtetet kanë trajtuar për problemet më të cilat përballen kompanitë e sigurimeve si në Kosovë, ashtu edhe në Shqipëri. Në veçanti gjatë takimit është diskutuar gjatë rreth numrit të madh të automjeteve që po lëvizin në komunikacion pa u siguruar, si në Republikën e Kosovës, ashtu edhe në atë të Shqipërisë”, është thënë në njoftimin e Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës.

Sipas këtij njoftimi, palët janë pajtuar mes vetë që gjatë ditëve në vijim, të intensifikojnë punët në këtë drejtim me qëllim të uljes së numrit të madh të automjeteve të paregjistruara e të pasiguruara, të cilat i shkaktojnë dëme të mëdha si institucioneve te të dyja shteteve, ashtu edhe Industrisë së Sigurimeve.

Po ashtu Mazreku ka njoftuar homologen nga Republika e Shqipërisë se për këtë çështje në fund të muajit korrik do të organizojë një konferencë në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të Institucioneve të Kosovës, Industrisë së Sigurimeve, por edhe nga Shoqëria Civile.

Në anën tjetër, kryetarja e Shoqatës së Sigurueseve të Shqipërisë, Fitnete Sulaj, e ka përgëzuar Mazrekun për angazhimin e vazhdueshëm që është duke e bërë.

Ajo i ka ofruar përkrahje të plotë gjatë ditëve dhe muajve në vijim me qëllim të rritjes së bashkëpunimit.

Drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës (SHSK), Sami Mazreku, e ka takuar edhe Ervin Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare të Republikës së Shqipërisë, i cili ka ofruar Mazrekut mbështetje të plotë në rritjen e bashkëpunimit në mes të Industrisë së Sigurimeve të Republikës së Kosovës, si dhe atyre të Republikës së Shqipërisë.

/Epoka e re/

Image

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave në jug të…