Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes ARBK-së dhe Regjistrit Qendror të Maqedonisë së Veriut
Me ceremoni zyrtare u nënshkrua memorandumi i bashkëpunimit në mes Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve Kosovare (ARBK) dhe Regjistrit Qendror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, që synohet bashkëpunimi i plotë në zhvillimin dhe zgjerimin e sistemeve të regjistrimit të bizneseve ndërmjet dy vendeve.
Drejtoresha e Përgjithshme e ARBK-së, Nexhmie Selimi, me këtë rast theksoi se përmes këtij memorandumi të bashkëpunimit synojmë të bashkëpunojmë plotësisht në mes dy vendeve për të promovuar dhe përmirësuar inovacionet si dhe për të forcuar sistemet tona të regjistrimit te bizneseve. “E kemi parë të nevojshme që të kemi bashkëpunim më të gjerë bilateral ndërmjet palëve për t’i forcuar sistemet tona ekzistuese të regjistrimit të bizneseve, duke krijuar një mekanizëm për të pasur shkëmbim të rregullt të informacionit dhe të praktikave më të mira dhe për të ndërmarrë edhe aktivitete të tjera bashkëpunuese”, theksoi drejtoresha Selimi.
Ajo shtoi se me këtij bashkëpunimi do të mundwsohet garantimi në administrimin e duhur, mbrojtjen dhe përdorimin e të drejtave të regjistrimit te bizneseve në të dy vendet dhe njëherësh ky memorandum do t’na hapë rrugë në të gjitha sferat, që kanë të bëjnë me sistemet më të avancuar të regjistrimit të bizneseve në përgjithësi.
Ndërsa, drejtoresha e Regjistrit Qendror në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Maria Boshkovska Jankofski, potencoi se një ndër aktivitetet tona strategjike është krijimi i Regjistrit të pronarëve të vërtetë tek personat juridik, ku përmes këtij regjistri, institucioni ynë do të bashkëngjitet në luftën kundër pastrimit të parave dhe kundër financimit të terrorizmit, si dhe do të ngritë nivelin e transparencës të qarkullimit financiar në një nivel më të lartë.
“Me shpresë se ky memorandum bashkëpunimi do të ndihmojë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe në zhvillimin e ekonomisë në mes dy vendeve, duke pasur parasysh se shumë subjekte juridike apo biznese tashmë qarkullojnë dhe funksionojnë në të dy anët”, u shpreh drejtoresha, Maria Boshkovska Jankofski.
Ky memorandum ndihmon në nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë se Veriut, përveç shkëmbimin e informatave në regjistrimin e bizneseve, gjithashtu do të ndikojë në thellimin e bashkëpunimit edhe në fusha tjera me interes të përbashkët për të dy vendet.