Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit në mes të ZKA-së dhe Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut

25 maj 2021 | 16:54

Në një ceremoni të rastit ku prezentë ishin Ambasadorja e Maqedonisë së Veriut në Kosovës, Shpresa Jusufi, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi dhe Zëvendëskryeministrja Donika Gervalla, Zyra Kombëtare e Auditimit të Republikës së Kosovës dhe Autoriteti i Auditimit të Maqedonisë së Veriut kanë avancuar bashkëpunimin institucional me nënshkrimin e një Memorandumi të Mirëkuptimit/Bashkëpunimit.

Memorandumi i mirëkuptimi për bashkëpunim ndërmjet dy institucioneve i nënshkruar të martën në Prishtinë nga Auditori i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës, Besnik Osmani dhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi ka për qëllim forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale për auditim efektiv dhe efikas në fushën e auditimit të fondeve nga IPA.

Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani, ka vlerësuar se ky Memorandum  është mundësi e mirë që auditorët e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Kosovës të forcojnë njohuritë e tyre për specifikat e auditimeve të fondeve IPA. Përafrimi i Kosovës në procesin e integrimeve evropiane do të sjellë nevojën e zbatimit të këtyre auditimeve për të cilat aktualisht ne nuk kemi ndonjë përvojë të veçantë.

Edhe Auditori i Përgjithshëm i Autoritetit të Auditimit të Maqedonisë së Veriut për auditimin e fondeve IPA, Adem Curi, e ka vlerësuar të rëndësishëm nënshkrimin e këtij memorandumi, duke thënë se shkëmbimi i praktikave profesionale mundëson  përmirësimin e kapaciteteve audituese të dy institucioneve.

Ky bashkëpunim parasheh shkëmbimin e përvojës në qasjen e audimit dhe metodologjinë e përdorur në pajtim me standardet e auditimit; shkëmbimin e përvojës dhe mësimet e nxjerra në fushën e auditimit; ofrimin e ndihmës dhe bashkëpunimit nga eksperti në fushën e auditimit; organizimin e hulumtimeve, takimeve, konferencave, trajnimeve, vizitave studimore, dhe praktikave profesionale për përmirësimin e kapaciteteve audituese te të dy institucioneve si dhe organizimin e vizitave të përbashkëta tek organet dhe institucionet profesionale në fushën e auditimit.

Zëvendëskryeministrja njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Qeveria mirëpret një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale.

“Memorandumit të Mirëkuptimit i cili do të nënshkruhet sot, i paraprijnë një sërë marrëveshjesh qoftë ndërinstitucionale apo ndërqeveritare në mes të Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Si Qeveri e re e mirëpresim një bashkëpunim të tillë mes dy shteteve për forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut ndajnë interesa të përbashkëta politike dhe ekonomike, për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e rajonit tonë. Fuqizimi i marrëdhënieve dypalëshe dhe fqinjësisë së mirë madje miqësisë së ndërsjellë është përkushtimi ynë”, ka thënë Gërvalla.

Edhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Fatmir Bytyqi e ka përshëndetur nënshkrimin e këtij memorandumi. “Nënshkrimi i memorandumit të sotëm dëshmon që bashkëpunimi ynë rajonal i bazuar në paradigmën e konkurueshmerisë rajonale kundrejt konkurrencës rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor jetësohet edhe në praktikë, duke shkëmbyer përvojat ”, ka deklaruar Bytyqi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Diellor Rizaj nga Prishtina shpall të pavlefshme vendimin e lëshuar…