Nënshkruhet memorandumi i bashkëpunimit për kurse në teknologjinë informative
Në vazhdën e politikave publike që synojnë zvogëlimin e hendekut në mes të kërkesave të tregut të punës dhe edukimit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, kanë nënshkruar të martën memorandumin e bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.5 – Trajnimi dhe Punësimi në TI i Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Në bazë të këtij memorandumi të bashkëpunimit, maturantëve të shkollave të mesme do t’u ndahen 2000 kuponë me vlerë deri në 600 euro për të ndjekur kurse të Teknologjisë Informative.
Kriter kryesor për përfitim nga kjo masë do të jetë suksesi i lartë i nxënësit i treguar përgjatë studimeve.
“Kjo nismë vjen si rezultat i kërkesës së tregut për profesionistë të fushës së Teknologjisë Informative, që po rritet paralelisht me zhvillimin e hovshëm e të vazhdueshëm teknologjik. Andaj, angazhimi i përbashkët i të dy ministrive drejt mbështetjes së aftësimit të të rinjve mbetet thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. MFPT dhe MAShTI, në linjë me programin qeverisës, mbesin të përkushtuara për rritjen dhe promovimin e mundësive për trajnim profesional dhe punësim te të rinjtë”, ka njoftuar Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve.