Nënshkruhet memorandumi në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve
Zëvendësministri i Drejtësisë, njëherit Koordinatori Nacional për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Florian Dushi, sot ka marrë pjesë në një ceremoni zyrtare të organizuar nga OSBE-ja me rastin e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Prishtinë.
Zëvendësministri Dushi gjatë kësaj ceremonie theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi në mes të komunave dhe Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, përveç që do të ndihmojë qendrën për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, njëherit do të obligon akterët relevant që të merren me këtë fenomen, përfshirë edhe institucionet që zbatojnë ligjet dhe politikat për parandalimin e dhunës në familje.
Në cilësinë e Koordinatorit Nacional për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dushi i ka njoftuar të pranishmit me hapat konkret të cilët janë ndërmarr nga Ministria e Drejtësisë në krijimin e mekanizmave adekuat në parandalimin e dhunës në familje si nevojë për zbatimin e Strategjisë Kombëtare Kundër Dhunës në Familje dhe Planit të Veprimit 2010-2020 i cili i trajton shërbimet për viktimat dhe ndjekjen penale të kryesve të krimit.
“Ministria e Drejtësisë ka ndërmarr hapa konkret duke nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Rrjetin e Grave të Kosovës dhe Shoqatës – Rrjeti i Shitësve me Pakicë, për qasje dhe lehtësim në punësim të personave të strehuar në strehimoret e dhunës në familje” tha zëvendësministri Dushi.
Ai gjithashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat janë ballafaquar gjatë implementimit të strategjisë së kaluar, ndër to edhe çështja e financimit të qëndrueshëm për strehimoret, rehabilitimi dhe riintegrimi i viktimave, trajtimi i kryesve, strehimi i nënave me fëmijë dhe harmonizimi i legjislacionit nacional me dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare.
(Q.R / Epoka e re)