Nënshkruhet memorandumi për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit
Është nënshkruar memorandumi i mirëkuptimit për projektin e ri të Ambasadës së Britanisë së Madhe, i cili ka për qëllim luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, e po ashtu edhe të ofrojë siguri më shumë për qytetarët e vendit.
Pjesëmarrës në ceremoninë e nënshkrimit kanë qenë ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, të cilët janë zotuar se do të punojnë bashkë për zbatimin e këtij memorandumi.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj derisa e ka vlerësuar të rëndësishëm këtë projekt, ka thënë se ky bashkëpunim do të forcojë kapacitetet për të hetuat veprat më komplekse.
Ndërsa ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves është shprehur i lumtur me arritjen e këtij bashkëpunimi. Me këtë memorandum, ai ka thënë se do të luftohet edhe shpëlarja e parave dhe korrupsionit, ndërsa është shprehur se do të punojnë qe Kosova të jetë një vend i qetë për gjithë qytetarët.
Në anën tjetër, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka thënë se implementimi i këtij memorandumi do të jetë në interes për të mirën e të të gjithë qytetarëve të vendit.
Kurse, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha është zotuar se ky memorandum do të zotohet në tërësi. /KP