Nënshkruhet memorandumi për promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha dhe shefja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Ulrika Richardson, kanë nënshkruar të hënën një memorandum mirëkuptimi.
Nënshkrimi i këtij memorandumi ka për qëllim promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm përmes çrrënjosjes së varfërisë, avancimit të gruas, qeverisjes së mirë, sundimit të ligjit si dhe më shumë bashkëpunim efektiv për zhvillim.
Me këtë rast ministrja Hoxha, e ka vlerësuar memorandumin si shumë të rëndësishëm, duke pasur përparim në shumë sfera të agjendës sociale të BE-së dhe reformat shtetërore në fushat ekonomike, politike dhe zhvillimore të cilat e drejtojnë Kosovën më afër familjes evropiane.
“Ne jemi përkushtuar me legjislacionin tonë që të punojmë më efektivisht në identifikimin e çështjeve dhe plotësimit të zbrazësive për të arritur objektivat e Stabilizim Asociimit. Kjo nënkupton punën tonë në përfshirjen më të madhe sociale dhe zhvillimin njerëzor në Kosovë, sikurse janë çështjet për rritjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën publike dhe vendimmarrje; qasje në informacion; edukim cilësor; krijim të vendeve të punës, dialog dhe integrim ndërkulturor ndërmjet komuniteteve; respekt për të drejta të njeriut dhe sundim të ligjit”, ka theksuar Hoxha.
Për të arritur këtë, Hoxha ka thënë se e kanë parë të nevojshme të prioritizojnë këtë vit edhe mbledhjen dhe dorëzimin e të dhënave për Monitorimin e Partneritetit global për Kosovën.
Këto të dhëna janë në linjë me integrimin evropian dhe Agjendën 2030 për zhvillim të qëndrueshëm.
“Sikurse është në Kushtetutë ne jemi të përkushtuar për krijimin e një shteti të qytetarëve të barabartë, i cili do të garantojë të drejtat e secilit qytetar, liritë qytetare dhe barazinë e të gjithë qytetarëve para ligjit. Të zotuar që Kosova të jetë shtet i mirëqenies ekonomike dhe i prosperitetit social”, është shprehur Hoxha, duke shtuar se përqendrimi në qëllime zhvillimore jo vetëm që do të përmirësojë jetën e secilit qytetar, por Kosova do të arrijë më afër rrugës evropiane dhe drejt pozicionimin më të mirë global.
Ndërsa shefja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), Ulrika Richardson ka theksuar se nëpërmjet këtij memorandumi mbështet Ministrinë e Integrimit Evropian në procesin integrues, duke u fokusuar në fusha me interes të përbashkët si zbatimi i MSA-së, Agjendën Evropiane të Reformave dhe reformat tjera të procesit integrues për një zhvillim të qëndrueshëm.
Hoxha dhe Richardsoni kanë vlerësuar lartë këtë memorandum i cili fuqizon angazhimin e gjithanshëm të Kosovës për tejkalimin e sfidave në proceset integruese.
/Epoka e re/