Nënshkruhet protokolli për marrëveshjen e ekstradimit ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe zëvendëssdihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, kanë nënshkruar të enjten protokollin e instrumenteve të ratifikimit të Marrëveshjes së ekstradimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Ministri Tahiri ka theksuar se ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.
Sipas tij ky protokoll pasqyron realitetin e ri në Ballkan, pasi kjo marrëveshje fuqizon edhe më tej sundimin e ligjit dhe subjektivitetin e Kosovës, duke e bërë një partner të besueshëm në luftën kundër krimit trans nacional.
Tahiri ka thënë se marrëveshja është simbol i bashkëpunimit të shkëlqyer në mes dy vendeve dhe pasqyron parimet për luftimin efikas të krimeve që janë karakteristike për shekullin 21.
Ministri Tahiri ka theksuar se nënshkrimi i këtij protokolli i jep një kahe të re bashkëpunimit në mes të dy shteteve, duke rritur bashkëpunimin në fushën e sundimit të ligjit, si dhe duke u ofruar prokurorëve dhe autoriteteve tjera në të dy anët e Atlantikut mjete të reja për t’i sjellë kriminelët para drejtësisë.
Në një takim paraprak me zëvendëssdihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, Matthew Palmer, ministri Abelard Tahiri e ka njoftuar atë për reformat e ndërmarra në sistemin e drejtësisë, përfshirë politikat e reja penale, politikat e të drejtave pronësore si dhe masat e ndërmarra në kuadër të agjendës “Drejtësia 2020” për përmirësimin e performancës së sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës.
/Epoka e re/