Nënshkruhet protokolli për ndërtimin e integritetit në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes në Kosovë
Ministria e Punëve të Brendshme e Republikës së Kosovës dhe Qendra e Integritetit të Norvegjisë nënshkruan protokoll të qëllimit për Ndërtimin e Integritetit në Sektorin e Sigurisë dhe të Mbrojtjesnë Kosovë.
Ky projekt është pjesë më e gjerë në Ballkanin Perëndimor të financuar nga Ministria Norvegjeze e Punëve të Jashtme, e ekzekutuar në periudhën 1 prill 2018, deri më 31 dhjetor 2020, ku Ministria e Mbrojtjes e Norvegjisë e ka emëruar CIDS si agjentin ekzekutiv për këtë projekt.
Nënshkrimin e protokollit e bënë, Per Age Christensennë emër të CIDS dhe në emër të MPB-së, sekretari i përgjithshëm,Lulzim Ejupi.
Me këtë rast, sekretari i përgjithshëm i MPB-së, Lulzim Ejupi, ka falënderuar Mbretërinë e Norvegjisë për mbështetjen dhe ndihmën e ofruar, në kuadër të projektit për ndërtimin e integritetit në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes, ku përfitues është edhe Ministria e Mbrojtjes.
“Integriteti dhe llogaridhënia janë një ndër shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe funksionimit të administratës shtetërore, ku përmes tyre sigurohet dhe promovohet interesi publik kundrejt interesit apo përfitimeve private. Sektori i sigurisë, veçanërisht agjencitë e zbatimit të ligjit, kanë rol kryesor në sistemin e integritetit”, ka thënë Ejupi.
/Epoka e re/