Nëntë futbollistë largohen nga Gjilani
Skuadra e Gjilanit ka njoftuar se do ta nisë fazën përgatitore për edicionin e ri më 25 qershor. Ky klub ka mbyllur bashkëpunimin me plot nëntë futbollistë.
“SC Gjilani bën të ditur se ka mbyllur bashkëpunimin me futbollistët: Shkëlzen Ruçi, Ardin Dallku, Drin Govori, Ivan Fustar, Qëndrim Dautaj, Ardit Hila, Arbër Çyrbja, Tomislav Busiç dhe Darko Nikaç”, thuhet në njoftimin e skuadrës nga Anamorava.
Gjilani në këtë afat kalimtar është përforcuar me futbollistët: Yll Hoxha, Albert Dabiqaj, Elton Cale dhe Agustin Torassa, ndërkohë nga huazimi janë rikthyer Petrit Terziu, Albin Halimi, Qëndrim Ismajli dhe Muhamed Dubova. “Klubi po punon për afrimin e futbollistëve të rinj sipas kërkesave të stafit teknik dhe konfirmon se afati kalimtar mbetet i hapur edhe më tej”, ka njoftuar SC Gjilani.
Këto nuk janë të vetmet ndryshime, pasi skuadra e Gjilanit e ka emëruar Rafet Preakzin në postin e drejtorit sportiv. “Klubi ka emëruar Rafet Prekazin në pozitën e drejtorit sportiv, ndërkohë që Sallah Sherifi ka kaluar në pozitën e drejtorit teknik. Departamentin Sportiv të klubit e plotëson Drilon Sylejmani, i cili është emëruar në pozitën e menaxherit të përgjithshëm dhe afrimi tij pritet të jetë një ndihmesë e madhe në aspektin menaxherial. Ndryshimet e reja priten të prezantohen para ekipit në fillimin e fazës përgatitore”, thuhet në njoftimin e SC Gjilani.
/Epoka e re/