Nëntë të vdekur nga zjarri në një spital në Rumani
Nëntë persona kanë vdekur të premten, kur një zjarr ka shpërthyer në repartin e kujdesit intensiv në një spital për Covid-19 në Rumani, kanë thënë zyrtarët e këtij shteti.
Ky ishte zjarri i tretë vdekjeprurës në një spital të Rumanisë për më pak se një vit.
Zjarrfikësit kanë shuar zjarrin në spitalin e qytetit lindor, Constanta, rreth orës 8:00 të mëngjesit, pasi kanë marrë përforcime me ekipe nga rajonet përreth, shkruan “Reuters”.
Në disa pamje shihen pacientë duke kërcyer nga dritaret në katet më të ulëta të ndërtesës së spitalit dhe zjarrfikës duke nxjerrë njerëz jashtë.
Ministri i përkohshëm i Shëndetësisë, Cseke Attila, ka thënë se 113 pacientë ndodheshin në spital në kohën e zjarrit, përfshirë dhjetë në repartin për kujdes intensiv.
Ndryshe, Rumania të enjten ka regjistruar rekord të rasteve ditore me Covid-19, 12 032. Repartet e kujdesit intensiv në mbarë vendin janë mbetur më pak shtretër të lirë pas rritjes së shifrës së rasteve.
Rumania e ka shkallën e dytë më të ulët të vaksinimit kundër Covid-19 nga 27 shtetet e Bashkimit Evropian.