NËNTË USHTARË TË UÇK-së NË DUAR TË FORCAVE ARMIKE
LULZIM SAHITI
Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (9)
Pas Drinit mandej kanë hyrë në grupe të vogla edhe ushtarë të tjerë të vetorganizuar. Në këtë ditë kanë kaluar pritën Xhevdet Mekani nga Drenovci dhe Mensur Zyberaj “Pesëqinshi” nga Drenivci duke u tërhequr nëpër fshatin Lubizhdë të Hasit, mandej kalojnë në Romajë dhe shkojnë deri në Krushë të Madhe. Pas luftimeve të ashpra, deri në orët e vona të mbrëmjes kishin kaluar pritën edhe Elbasan Shoshaj nga Leskoveci (Prizren) së bashku me vëllanë, Namik Shoshaj dhe bashkëluftëtarin e tyre Shukri Xhemaj nga Leskoveci. Këta në orët e mbrëmjes depërtojnë në fshatin Lubizhdë, ku edhe këtu hasin në pritën tjetër të armikut, por arrijnë me sukses të kalojnë, mandej vazhdojnë në Kabash dhe nga aty shkojnë në Rogovë të Hasit ku qëndrojnë dy net te një shok i tyre, me mbiemër Shala.
Në ndërkohë, pas rezistencës së bërë në lugun e Pashtrikut, një grup i përbërë prej gjashtë ushtarëve: Jemin Kelmendi nga Bellacërka (Rahovec), Shaban Vehapi nga Zatriqi (Rahovec), Xhevdet Berisha nga Carravrani (Malishevë) – i plagosur në këmbën e majtë, Uka Gashi nga Vërmica (Malishevë), Vesel Krasniqi nga Drenovci dhe luftëtari Bedri Hysenaj “Rrusta” nga Petrova e Shtimes, arrijnë të kalojnë duke u tërhequr nga zona e rrezikshme. Këta hyjnë ndërmjet fshatit Lubizhdë dhe Kushnin. Mandej shkojnë në Romajë të Prizrenit. Bedriu atë ditë, duke çarë rrethimin, në luginën e Pashtrikut ishte plagosur në dorën e majtë. Në fshatin Romajë një qytetar i kishte strehuar për dy-tri orë, mandej kishin vazhduar rrugën për Rogovë të Hasit, pastaj kishin dalë tek Ura e Hasit te magjistralja Prizren – Gjakovë dhe kishin mbërritur në fshatin Celinë të Rahovecit. Këtu u është dhënë ndihma e parë nga ushtari i UÇK-së, Ramadan Danaj, i cili kishte sjellë një ekip mjekësor për pastrimin e plagëve të të plagosurve. Mandej kanë vazhduar rrugëtimin për Krushë të Madhe deri në Reti (Rahovec), ku më 17 dhjetor 1998 janë takuar me komandant Drinin. Nga këtu, Bedriu ka vazhduar rrugën për Pagarushë, ku i është pastruar plaga nga dr. Agim Hazrolli dhe ekipi i tij mjekësor. Në ndërkohë ka udhëtuar në Novosellë, ku ishte Shtabi i Përgjigjëm i UÇK-së dhe nga këtu ka shkuar në Shalë të Lipjanit, ku është operuar nga dr. Fitim Selimi dhe dr. Abdullah Fazliu. Më 21 dhjetor 1998 Bedriu arrin në Luzhak, në bazën e Batalionit të Policisë Ushtarake të Zonës Operative të Nerodimes.
Ushtarë të UÇK-së të zënë rob duke u ngrohur pranë zjarrit në Pashtrik, nga e djathta në të majtë: Blerim Spahiu, Ismet Mazreku dhe Merita Ramadani
Pas shpërthimit të sulmit brutal armik, Hashim Gashi nga Drenovci i Rahovecit ka rezistuar bashkërisht me luftëtarët e tjerë nga ana e Rahovecit, mirëpo gjatë tërheqjes nëpër luginën e kobshme të Pashtrikut, shkëputet nga shokët e luftës. Mandej, i vetmuar ngjitet bjeshkëve të Lubizhdës. Atje rreth orës 12:00 shkon në këtë drejtim ushtari i ri, Bekim Berisha nga fshati Dellovë i Klinës. Ai aty takohet rastësisht me Hashimin dhe këtë natë e kalojnë së bashku duke bredhur nëpër bjeshkë nga një vend në tjetrin. Kështu kanë qëndruar në ambient të hapur tri ditë e dy net, ndërsa më 16 dhjetor 1998, rreth orës 19:00, kanë hyrë në Kushnin. Një banorit lokal në fshat i kërkojnë ushqim, por ky i refuzon. Pak më tutje, familja tjetër u jep ushqim për të ngrënë, me ç’rast u sjell edhe qumësht të ngrohtë. Luftëtarët e lirisë gjatë rrugëtimit të tyre ballafaqoheshin me sfida nga më të ndryshmet. Në mesin e vendbanimeve etnikisht shqiptare, sidomos fshatarët e zonës kufitare kishin frikë nga reprezaljet serbe që mund të pasojnë. Por, fatbardhësisht, kishte edhe familje të atilla që rrezikonin gjithçka dhe kujdeseshin me aq mundësi sa kishin për pjesëtarët e UÇK-së që kalonin transit nëpër këtë fshat kufitar.
Pastaj, Hashimi, i shoqëruar nga Bekimi, vazhdojnë rrugën gjithnjë këmbë deri në Romajë, ku në këtë fshat atë natë i bënë konak mësuesi Bajram, i cili u kishte ofruar mikpritje mjaft të mirë dhe bujare. Si pasojë e qëndrimit të gjatë në natyrë, Hashimi ishte mërdhirë saqë i ishin amputuar dy gishtërinj të këmbës së majtë.
Meqenëse pjesa dërrmuese e luftëtarëve të lirisë tashmë ishte tërhequr, më 14 dhjetor shtatë ushtarë të UÇK-së kishin mbetur nën rrethim, prej të cilëve disa ishin të plagosur rëndë. Edhe këta rezistojnë deri në çastet e fundit. Dikur humbin kontrollin në hapësirë dhe kalojnë në një gjendje tepër të rëndë. Ishin çaste të tmerrshme. Ata më nuk ishin në gjendje të bëjnë asgjë kundër forcave armike, të cilat veçse u afroheshin. Ishin dhjetëra ushtarë serbë që flisnin serbisht me zë të lartë. Pothuajse me ndjenja të humbura, Enver Krasniqi nga Karaqica me shtatë plagë në trup dhe Ismet Mazreku nga Malisheva, komunikojnë diç në gjuhën serbokroate, ndërsa Merita Ramadani nga Likoci, Xhavit Krasniqi nga Duga, Azem Suma nga Dimca i plagosur në dy këmbë, Blerim Spahiu nga Runiku dhe Samet Ballazhi nga Pusteniku, i plagosur në kokë, më nuk dinin se çka po ndodhë, vetëm pritnin nga çasti në çast ekzekutimin e tyre. Forcat armike fillojnë të vijnë ngadalë në drejtim të tyre. Një ushtarak serb, i shtyrë pak sa në moshë, duke ardhur teposhtë luginës, qëllonte edhe me nga një të shtënë me revole të vrarët e shtrirë nëpër borë. Atë ditë, diku tutje, forcat serbe kishin zënë të gjallë edhe dy ushtarë të tjerë: Nazmi Bellaqën dhe Sherif Bellaqën nga Pataqani i Epërm, mirëpo nuk i takojnë aty. (Vijon)