Nëntë vjet nga vendosja e “Parkut të Paqes” në Mitrovicë, ende trazira
Një ditë pas heqjes së barrikadës mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë, konkretisht më 18 qershor të vitit 2014, serbët e veriut sërish kanë bllokuar urën me barrikadën të quajtur “Parku i Paqes”.
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq ka thënë se këtë veprim për ribllokimin e urës po e merrte në koordinim të plotë me qeverinë e Serbisë. I pranishëm gjatë gjithë aksionit ka qenë edhe shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq.
Forca të shumta policore as nuk kanë tentuar të parandalojnë bllokimin. Ndërkohë, kryetari i pjesës veriore e ka ftuar atë të pjesës jugore, Agim Bahtirin, që pjesën tjetër të urës së Ibrit ta shndërrojë po ashtu në park, raporton KP, transmeton Klankosova.tv.
“Parku i Paqes”, është hequr dy vjet më vonë, konkretisht më 14 gusht të vitit 2016. Heqja është bërë pas implementimit të marrëveshjes nga dialogu Beograd-Prishtinë lidhur me urën në Mitrovicë.