“Nëpër rrugë dhe sheshe”, libri i ri me udhëpërshkrime i Dibran Demakut
Shkrimtarit Dibran Demaku shtëpia botuese “Armagedoni” sot i ka botuar librin “Nëpër rrugë dhe sheshe”.
“Dibran Demaku ka shkruar disa lloje të shkrimeve letrare. Për secilin lloj të shkrimit ka merita. Këtë herë shtegtimet e veta, mbresat nga udhëtimet nëpër rrugë dhe sheshe të qyteteve të ndryshme të botës, i përzgjodhi dhe i përmblodhi në këtë libër. Me një gjuhë të thjeshtë, të përshtatshme për udhëpërshkrime të shkurtra dhe të gjata, Demaku përshkruan bukuritë e dhjetëra shesheve të qyteteve të Evropës dhe të botës, edhe bisedat e këndshme me njerëz të kombësive të ndryshme me tema të llojllojshme. Nëpërmjet këtij libri të vogël ai na sjell një guidë turistike vetëm me fjalë. Përshkrimet për vendet e vizituara prej tij kanë edhe të dhëna historike. Krujën, Vlorën, Beratin…, përpos që i përshkruan me kujdes të veçantë, i veçon ndër vizitat më të mira e më mbresëlënëse. Udhëtimet në këto qytete Demaku nuk i ka nisur nga Kosova. I ka nisur nga Gjermania. Po nga Gjermania ka marrë rrugë edhe për Kanada, Irlandë, Londër, Turqi, Itali, Spanjë, Republikën Domenikane, Poloni, Lituani, Letoni, Estoni, Finlandë, Suedi, Danimarkë…, të cilat, nëpërmjet përshkrimeve të bukura, na nxit t’i vizitojmë”, ka shkruar në kopertinën e pasme të librit “N. Sh. Armagedoni”.