Nëpunësi shtetëror nga Deçani arrestohet për falsifikim të dokumenteve
Një qytetar me inicialet H.I., nëpunësi në Qendrën Komunale të Regjistrimit Civil në Deçan është arrestuar me dyshimin për marrje të ryshfetit, me qëllim të regjistrimit të viktimës J.J. në sistemin e gjendjen civile, raporton teve1.info
Sipas komunikatës së Policisë, i dyshuari i ka pranuar përmes bankës 1800 euro derisa rasti ka ndodhur gjatë periudhës kohore 2022 dhe në fillim të vitit 2023.
I dyshuari H.I. dyshohet se të njëjtën vepër e ka kryer edhe ndaj viktimës H.E. me vendbanim në Gjermani, për të cilin janë duke u bërë hetimet.
“I dyshuari, H.I., (viti i lindjes 1964, mashkull kosovar), nëpunës në Qendrën Komunale të Regjistrit Civil – Deçan, gjatë vitit 2022 dhe fillim të vitit 2023, në tri raste përmes institucioneve bankare ka pranuar të holla (rreth 1800 euro). I dyshuari, të hollat i ka pranuar nga viktima e rastit J.J., nga Deçani i cili jeton në Zvicër, me qëllim që të njëjtin ta regjistrojë në sistemin e gjendjes civile në Deçan.
Po ashtu në fund të muajit gusht 2023, në Facebook është publikuar edhe një pretendim se i dyshuari, në mënyrë të njëjtë ka vepruar edhe me qytetarin H.E., i cili jeton në Gjermani.
Mbi bazën e këtyre dëshmive e pretendimeve, është krijuar dyshimi se H. I., dyshohet të ketë kryer veprën penale: ‘marrja e ryshfetit’. Hetuesit policorë janë duke vazhduar me trajtimin e rastit përfshirë identifikimin dhe intervistimin e viktimës së dytë (H.E., nga Gjermania)”, thuhet në komunikatë.
I dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.