NERVOZA POLITIKE E PRISHTINËS

31 gusht 2018 | 17:40

Lulëzim ETEMAJ

Paraqitja nervoze para mediave e presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj pas takimit që kanë pasur dje, është shenjë e qartë se Kosova tashmë ka hyrë në fazën kritike të nervozes së çakorduar politike. 7 shtatori, përkatësisht takimi i radhës në Bruksel i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq, në kudër të dialogut Kosovë-Serbi, që po mbahet nën patronatin e Brukselit, është shkaktari kryesor i nervozes politike të Prishtinës.

Sipas mediave, pa nervozë të tillë nuk është duke i kaluar këto ditë as Beogradi.
Nervoza politike e Prishtinës është legjitime. Si pothuajse në të gjitha temat tjera të karakterit nacional, Prishtina nuk ia ka arritur të sigurojë as kësaj radhe konsensusin e nevojshëm përkitazi me vazhdimin e dialogut dhe, për rrjedhojë, i mungon edhe platforma e përbashkët politike. Përderisa Presidenti Thaçi këmbëngul në korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes marrëveshjes paqësore, obligative dhe të garantuar nga Brukseli, korrigjim i cili do të kthente kufirin e vitit 1956, me ç’rast Kosovës do t’i bashkëngjiteshin Presheva, Bujanoci dhe Medvegja, kryeministri Haradinaj ka zgjedhur të barrikadohet pas Kushtetutës së Kosovës dhe paprekshmërisë së kufijve që garanton ajo.

Në këtë barrikadë ndodhen edhe VV-ja, zëra të caktuar nga LDK-ja si dhe Nisma. Pro opsionit të presidentit Thaçi është rreshtuar kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati. “Nëse kufijtë preken me marrëveshje, janë në funksion të paqes. Një marrëveshje paqësore e shtron rrugën që nesër Serbia dhe Kosova të kenë raporte normale”, ka deklaruar Murati në një intervistë të dhënë për “Info Magazine” të Televizionit “Klan Kosova”.

Pro prekjes së kufirit është deklaruar edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri. Në intervistën e dhënë mbrëmë për “RTK”-në, Haziri ka deklaruar se “zgjidhja më e mirë për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë do të ishte që të vendosej kufiri i vitit 1956”.

Në ndërkohë është paralajmëruar që Kuvendi i Kosovës ta thotë fjalën e vet rreth idesë për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë. Siç është raportuar nga mediat, pritja e deputetit të LDK-së, Naser Rugova, është që Kuvendi i Kosovës më 4 shtator, nëse Kryesia një ditë më parë aprovon kërkesën e opozitës për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme rreth dialogut, ta miratojë rezolutën për ruajtjen e integritetit territorial të Kosovës. Një rezolutë e tillë do të mund të prodhonte turbulenca të fuqishme politike në Kosovë. Nuk duhet harruar faktin se rënia e Qeverisë Mustafa pas dështimit të demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, flet për pa perspektivën politike të opozitarizmit ndaj Thaçit në planin ndërkombëtar, kur bëhet fjalë për marrëveshjet dhe obligimet shtetërore të Kosovës. Ra Mustafa, erdhi Haradinaj. Kosova tashmë e ka demarkacionin me Malin e Zi. Me parimet politike të liderëve dhe të partive politike të Kosovës, le të merret kushdo që ka vullnetin, duke filluar nga politikologët dhe sociologët.

Kështu, Thaçi ka dëshmuar edhe një herë se ka prirje dhe shkathtësi që opozitarët e tij politik t’i dërgoj krejt në shtëpi. A di kush gjë ku janë tani Isa Mustafa dhe Fatmir Sejdiu?

Kalimi i mundshëm i Rezolutës në Kuvend më 4 shtator, e cila do t’i thoshte jo opsionit të presidentit Thaçi, mund të çojë lehtë në vend pikëpamjen se kjo qeveri, edhe ashtu, ka qenë e presupozuar vetëm për një përdorim; për kalim të demarkacionit me Malin e Zi. Një qeveri tjetër, e formuar nga PDK-ja, LDK-ja, Lëvizja do ta kalonte marrëveshjen për korrigjimin e kufirit dhe njohjen ndërshtetërore me Serbinë.

Përcillni deklaratat e Lufti Hazirit pro bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën. Haziri nuk është një lojtar anësor i LDK-së. Nuk është as që nga dje në politikë.
Të tjerat parti, fatkeqësisht janë jokreative në politikë. Prandaj aktualisht janë nën statusin e të vetëpërjashtuarave nga loja.

Kulminacioni i hipokrizisë politike: konfirmimi i mundshëm nga Kuvendi i Kosovës i fuqisë bllokuese të serbëve të Kosovës ndaj çdo ndryshimi kushtetues në emër të mosndryshimit të kufijve si dhe brenga nga efekti domino që mund të prodhoka në Ballkan korrigjimi paqësor i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thua ti se pikërisht Kosovës i është caktuar detyra e kujdestarit të paqës në Ballkan. Thua ti se tashmë s’e kemi një korrigjim ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë, që të dyja anëtare të BE-së.

Nervoza politike e Prishtinës dhe barrikada e saj pas Kushtetutës nuk është krejt e pa parashikueshme dhe e pa përllogaritshme. Po ashtu nuk do të mund të jetë as e pa menagjueshme. Zgjidhjen problemit, në fund, zakonisht ia jap pjesa e tortës së pushtetit.

Fatmirësi që shteti i Kosovës, falë përcaktimi evroamerikan të institucioneve dhe shumicës së qytetarëve të saj, ia ka arritur gjer më tani të ruaj marrëdhënie të shkëlqyeshme me partnerët ndërkombëtar, bashkëhisedarë të ngritjes së tij dhe përpjekjeve për të përmbyllur me sukses proceset integrative evroatlantike. Me ndihmën dhe garancën e po këtyre partnerëve, Kosova do ta arrijë edhe marrëveshjen përfundimtare me Serbinë si parakusht i njohjes reciproke shtetërore mes tyre, e cila do t’i sillte kualitete dhe garanci të reja paqes dhe stabilitetit në to si dhe në të gjithë hapësirën e Ballkanit.

Dhe, të mos bëhemi sikur s’e dimë edhe këtë: Kosova nuk ka asgjë nga fuqia e domosdoshme, madje s’e ka as guximin politik për t’i hyrë procesit të korrigjimit të kufijve pa i pasur prapa parasëgjithash SHBA-të. Prandaj edhe nuk ka asnjë arsye të hezitojë dhe t’i frikësohet marrëveshjeve paqësore të ndërmjetësuara nga BE dhe të garantuara si nga BE-ja ashtu dhe SHBA-të.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Naser Rugova, ka…