Nëse do të isha këshilltar i Thaçit, do ta këshilloja që t’i shpallë zgjedhjet
Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se vendimi i 2014-s nga Gjykata Kushtetuese për rastin VLAN ka komplikuar demokracinë në Kosovë, duke e ndërlidhur situatën e asaj kohe me aktualen kur Vetëvendosje ka dërguar në Gjykatë dekretin e Thaçit për mandatim të Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.
Sipas tij, se kujt i takon mandatari pas rrëzimit të qeverisë, duhet bazuar në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës, për “Zgjedhjen e Qeverisë”. Personalisht personalisht ka thënë se preferon dërgimin e vendit në zgjedhje.
Hartuesi i Kushtetutës së Kosovës ka thënë se ky nen do të eksplorohet nga Gjykata Kushtetuese pasi Lëvizja Vetëvendosje kontestoi dekretin e presidentit Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.
“Ky është neni që do ta eksplorojë Gjykata. Neni është diskutuar shumë kur e kemi hartuar Kushtetutën. Ekspertët amerikanë donin gjithçka t’i lihej popullit. Pika 4 thotë se gara bëhet kush i fiton zgjedhjet. Ai është pushteti dhe në qeveri, ai që s’i fiton është në opozitë, pavarësisht sa për qind ka fituesi. Tash do ta shpjegoj në mënyrë shumë profesionale. Nuk e obligon askënd. Pika 4 nëse përbërja e qeverisë s’merr shumicën e votave, presidenti brenda 10 ditësh emëron kandidatin tjetër sipas të njëjtës procedurë. Çka do të thotë kjo? Janë të kuptueshme. Ky nen ka dy porosi. Tregon se në rrethin e dytë është djegë kandidatura e kandidatit të cilit i është votuar mocioni i mosbesimit, por thotë sipas procedurës së njëjtë. Do të thotë te partia fituese. Partia e parë mund të thotë po ia jap partisë së dytë apo të tretë. Dispozita është shumë e qartë. Nuk është e heshtur. Thotë kandidatin tjetër, në këtë rast jo Albin Kurti. Nëse kanë bazë argumentet që thonë e merr i dyti e i treti më lërini të tregoj rastet e vendeve tjera. Vetëm nëse mocioni i mosbesimit e ka emrin e kandidatit për kryeministër, në atë rast e rrëzon qeverinë dhe e fut në detyrë kryeministrin e ri. Ai s’është valid nëse s’e ka emrin e kandidatit pasues. Kjo është në disa vende”, ka thënë Bajrami në Deskun e KOHËS.
Ai ka thënë se në vitin 2014 në rastin e VLAN-it kur ishte vendosur nga gjykata që vetëm fituesi i zgjedhjeve ka mandatarin për kryeparlamentar, Gjykata Kushtetuese ballafaqohej me linçime e sulme.
Sipas tij, interpretimi i Gjykatës në atë kohë ka qenë shkrim i Kushtetutës dhe “dalje nga vetja e Gjykatës”.
“Krijoi amendament në përshkrim të rregullave të mandatarit të dytë. E zbërtheu fjalinë, sipas mendimit tim në mënyrë joprofesionale. Duke u nisur në këtë praktikë presidenti Thaçi ka vepruar në bazë të mendimit. Presidenti u tregua më shumë se që duhej i kujdesshëm. Ai përsëri shkoi te rrethi i parë. Përsëri ia dha Kurtit, edhe pse ka mundur sipas vendimit të Kushtetueses të shkonte te mandatari i dytë. Kështu është fryma e Kushtetutës që të shkojë te e njëjta parti. Por gjykata nuk mendoi ashtu. Në vendet ku nuk ka mocion konstruktiv ku praktikisht nuk lejohet që opozita të vendosë emrin e pasuesit shkon direkt në zgjedhje. Nuk po dua të them në Kosovë është krijuar praktika, por në çdo rast ka ndodhur ashtu. Praktika duhet të bazohet në Kushtetutë. Vendimi i Gjykatës e ka komplikuar demokracinë tonë. S’është problemi i menaxhimit të krizës aktuale, por humb kredibiliteti i zgjedhjeve. Gjithmonë do të kemi delikte të politikanëve që dalin të katërtit e të pestët e në vend që të dalin nga politika, do të ketë bashkim të tyre e do të kërkojnë formimin e qeverisë”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se Gjykata ka krijuar precedent dhe do ta ketë sfidë të heqë dorë nga ai.
“Nëse në rastin e parë, vërtetohet kushtetutshmëria e dekretit procedurat shkojnë normal. Në rastin e dytë janë sërish normal, vazhdon qeveria në detyrë deri kur të shpallen zgjedhjet e reja”, ka shtuar Bajrami.
Sipas tij, për të thënë se presidenti Thaçi ka shkelur Kushtetutën duhet të fillohet peticioni e t’i kërkohet Gjykatës vendimi.
“Jam i sigurt se Gjykata Kushtetuese do t’i rezistojë çdo presioni dhe do t’ia del me zgjidhë rastin në mënyrë profesionale, në mënyrë analitike e studioze e jam i bindur se partitë do t’i binden. Skenari më i keq do të ishte të mos i bindeshin. Më 2014 njerëzit shkuan ta digjnin Gjykatën Kushtetuese. Tash jemi në situatë më të avancuar se pse drejtësia ka fituar kredibilitet ndërkombëtar. Është me rëndësi dispozitivi. Arsyetimi do të jetë profesional. Esenca është dispozitivi e në atë moment kur të jetë verdikti të bëhet zgjidhja e krizës. Personalisht preferoj zgjedhjet sepse besoj se do të ruhej demokracia nga precedentë për vite të tëra. Nëse do të isha këshilltar i Thaçit, atëherë do ta këshilloja që të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme pas pandemisë”, ka përfunduar ish-anëtari i PDK-së.