Nëse do të kishte çmim Nobel për liri, familja Jashari e Prekazit do të duhej ta merrte! (8)

13 nëntor 2023 | 17:00

INTERVISTË EKSKLUZIVE me Bardhyl Mahmutin: Si u hoq cilësimi i UÇK-së si “organizatë terroriste”? (8)

– Nëse do të kishte çmim Nobel për liri, familja Jashari e Prekazit do të duhej ta merrte! / Bernard Kouchner

Politologu Bardhyl Mahmuti, ish-përfaqësues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në intervistën ekskluzive dhënë “Epokës së re”, në vazhdimin e pjesës së tetë, ka theksuar se përfundimi i luftës na gjeti në një gjendje tejet të rëndë. Ai ka kujtuar një takim me Rifat Jasharin në një odë të vogël që kishte mbetur e pa rrënuar nga kullat e Jasharjave në Prekaz, ku ishin të pranishëm edhe komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, Jetullah Geci, Bashkim Jashari, Gani Koci etj., dhe gjatë këtij takimi Bernard Kushner i tha Rifat Jasharit: “nëse do të kishte çmim Nobel për liri, familja juaj do të duhej ta merrte!”, sepse pikërisht nga sakrificat e mëdha në Prekaz bota e kuptoi realitetin e kësaj lufte!

“Epoka e re”: Pas përfundimit të luftës ju keni qenë ministër i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. A shtroheshin pyetje rreth çështjes së civilëve të vrarë dhe të rrëmbyer gjatë luftës në Kosovë.

Bardhyl Mahmuti: Përfundimi i luftës na gjeti në një gjendje tejet të rëndë. Gjatë zbatimit të gjenocidit në Kosovë, Serbia dëboi të gjithë gazetarët e huaj që do të mund të dëshmonin për atë që ndodhte me popullin tonë dhe e shndërroi Kosovën në “teatër me dyer të mbyllura” ku skenaristët kishin planifikuar të “luhej” tragjedia shqiptare që përmbylli tragjeditë njerëzore të shekullit XX.

Në përpjekjet për të fshehur gjurmët e krimit të gjenocidit, shteti serb zhvarrosi mijëra trupa të shqiptarëve të vrarë dhe i varrosi në varreza masive gjithandej Serbisë. Përveç fshehjes së kufomave të civilëve shqiptarë, gjatë tërheqjes nga Kosova, forcat serbe përdorën si mburojë njerëzore mijëra shqiptarë që deri në atë kohë mbaheshin peng në burgjet e Kosovës.

Për të pasur një pasqyrë të përafërt me tërësinë e problemeve me të cilat duhej të ballafaqohej Qeveria e Përkohshme e Kosovës në atë kohë, nuk duhet të harrohen të mbijetuarit e gjenocidit që ishin viktima të përdhunimit, të dhunës seksuale, të trajtimeve çnjerëzore apo poshtëruese, të dëbuarve me dhunë gjatë spastrimit etnik të Kosovës dhe shkatërrimet e tërësishëm ose dëmtimet e pjesshme të 100589 shtëpive dhe të 88101 objekteve përcjellëse që ishin pronë e shqiptarëve; i 358 shkollave, ku nxënësit ishin të përkatësisë etnike shqiptare; i 30 shtëpive kulturore; i 93 bibliotekave; i 123 institucioneve shëndetësore në vendbanimet ku banorët ishin kryesisht shqiptarë; i 220 objekteve të kultit fetar dhe të çdo gjëje thelbësore për shqiptarët si grup (kombëtar, etnik apo religjioz) i ndryshëm nga serbët…

Megjithëse shumica e njerëzve të dëbuar që ktheheshin në Kosovë nuk kishin çati ku të futnin kokën, fati i të zhdukurve me dhunë ishte prioriteti ynë diplomatik. Ju siguroj se në të gjitha takimet me personalitete politike ndërkombëtare, me diplomatë të huaj dhe me gazetarë të mediave me peshë në hapësirën mediatike botërore kjo çështje ka zënë vendin kryesor. Ka rrjedhur shumë ujë nga ajo kohë dhe për shkak të rivaliteteve politike njerëzit bëhen se kanë harruar faktin se në të gjitha takimet e kryeministrit të Qeverisë së përkohshme, z. Hashim Thaçi, apo të cilitdo ministër nuk ka mbetur pa u kërkuar ndërhyrja ndërkombëtare për lirimin e Ukshin Hotit (për të cilin mendonim se mund të mbahej i mbyllur nga shteti serb), Albin Kurtit, Nait Hasanit, Bajrush Xhemajlit, dhe të gjitha pengjeve të tjera që mbaheshin nga shteti terrorist serb.

“Epoka e re”: Më kujtohet se kjo çështje u shtrua edhe në takimin me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Kofi Annan gjatë vizitës së tij në Kosovë, në tetor të vitit1999, ku edhe unë isha pjesë e delegacionit që udhëhiqnit ju. Mirëpo takimi me ish ministrin e Punëve të jashtme të Belgjikës, z. Louis Michel, pati një jehonë shumë të madhe mediatike.

Bardhyl Mahmuti: Ministri i Punëve të jashtme të Belgjikës, z. Louis Michel kishte rezerva ndaj çështjes së Kosovës. Në kërkesën tonë që BE-ja të përdorte të gjitha format e presionit ndaj regjimit të Sllobodan Millosheviqit për lirimin e mijëra shqiptarëve që mbaheshin si pengje në Serbi, ministri belg deklaroi se nuk mund të bënin një gjë të tillë për arsye se do të konsiderohej “cenim i sovranitetit të një shteti të pavarur”! Pas bombardimeve 72 ditësh të caqeve serbe nga ana e NATO-s për ta detyruar Serbinë të ndërpriste gjenocidin në Kosovë, ishte tërësisht paradoksale të pohohej se “nuk mund të ndërhynin në punët e brendshme të një shteti sovran”! Në këtë kontekst shtrova hipotezën se si do të duhej të silleshim nëse një organizatë terroriste futej e armatosur në një aeroplan dhe gjatë këtij aksioni terroristët vrasin një numër të konsiderueshëm udhëtarësh, të të gjitha moshave dhe gjinive, përdhunojnë seksualisht shumë të tjerë dhe në fund, në bazë të marrëveshjes për t’u tërhequr nga aeroporti, gjatë tërheqjes nga aeroporti, ata marrin si mburojë njerëzore një pjesë të të mbijetuarve të këtij krimi dhe vendosen në shtëpitë e tyre private. Të pretendohet se nuk mund të ndërhyjmë në shtëpitë e këtyre kriminelëve, sepse ndërhyrja e tillë do të cenonte pronën private, që është e shenjtë, është po aq paradoksale sa pretendimi për respektim e sovranitetit të një shteti që pas krimeve të tmerrshme që ka bërë në Kosovë, rrëmbeu mijëra të tjerë që mbahen si pengje nën “sovranitetin e një shteti terrorist”. Nëse vërtet duhet të kemi rezultate të shpejta në këtë drejtim, atëherë Serbia duhet të kërcënohet me bombardime të reja, sepse çështje e mijëra të mbijetuarve nga gjenocidi i Serbisë në Kosovë është çështja më e rëndë e rrëmbimeve terroriste me të cilën ballafaqohej njerëzimi në këtë fundshekull.

Pikërisht arsyetimi im për kërcënimin e pushtetit në Beograd me bombardime të reja nëse nuk i lironte pengjet e rrëmbyera bëri bujën mediatike.

“Epoka e re”: A kishte diplomatë që kërkonin sqarime lidhur me sajesat serbe për gjoja “rrëmbimin dhe zhdukjen me forcë të civilëve nga ana e UÇK-së”?

Bardhyl Mahmuti: Fillimisht kërkesat e tilla ishin të pakta, sepse personalitetet politike, diplomatike dhe mediatike që erdhën në Kosovë menjëherë pas tërheqjes së forcave serbe, patën mundësi të shihnin pasojat e gjenocidit që kreu shteti serb ndaj shqiptarëve. Mirëpo, me kalimin e kohës, shtroheshin kërkesa për sqarime lidhur me pretendimet serbe.

Po përmend vetëm rastin e diplomatit amerikan Sean Burns (Shon Bërns), shef i vëzhguesve amerikanë në kuadër të Misionit Verifikues të OSBE-së për Kosovën. Kur përfundoi mandatin e tij në Kosovë kërkoi nga unë ta shoqëroja në një takim përshëndetës me Adem Demaçin. Gjatë këtij takimi, z. Burns i kërkoi Adem Demaçit të ndërhynte tek udhëheqësit e dikurshëm të UÇK-së për lirimin e të burgosurve serbë!!!

Adem Demaçi i hodhi poshtë pretendimet për të burgosur serbë që gjoja mbaheshin në burgjet e UÇK-së dhe i cilësoi si vazhdim i propagandës serbe kundër luftës sonë. Z. Burns u ndie në siklet dhe, i pakënaqur nga përgjigja që mori, tha: “Të jeni të sigurte z. Demaçi se unë nuk kam ardhur te Përfaqësuesi i Përgjithshëm i UÇK-së me fjalët e propagandës serbe! Gjërat që ua thashë i kam dëgjuar nga njerëz në uniformë të UÇK-së!”.

Në atë moment Adem Demaçi u kthye nga unë, që përktheja bisedën, dhe më tha: “Shihi mizevirat e dreqit si i kanë mashtruar diplomatët amerikanë”!

Fjalën “mizevir” e kisha dëgjuar edhe më parë, por nuk ja dija kuptimin e saktë. Prandaj më shkuan disa minuta përderisa e përktheva në një kuptim më të përafërt me përmbajtjen e kësaj fjale pas sqarimeve që m’i dha Adem Demaçi.

Tani kur isha duke shkruar këto rreshta një mik imi që e njeh arabishten dhe turqishte më sqaroi prejardhjen dhe përmbajtjen e fjalës “mizevir”, e cila shënjon personat që shtrembërojnë një informacion të caktuar, falsifikojnë dokumente ose shpërndajnë fshehtas informata të pasakta!

Pastaj vazhdoi: “Z. Burns! Sot ngado që të shkosh në Kosovë, madje edhe poshtë e përpjetë pazareve, mund të gjesh uniforma të UÇK-së! Qofshin me uniforma, me veshje civile apo cullak, ata që ju paskan thënë një gjë të tillë, ju kanë gënjyer…”! U kthye nga unë duke lëkundur kokën në formë qortuese dhe përsërit dy herë shprehjen: “Mizevirat e dreqit!

“Epoka e re”: Ju thatë se pas përfundimit të luftës personalitete të personalitete të ndryshme politike, diplomatike dhe mediatike ndërkombëtare patën mundësi të shihnin përmasat e krimeve në Kosovë. Në kujtesën tonë ka mbetur shoqërimi që i bëtë Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, z. Bernard Kouchner (Kushner) në Prekaz dhe sidomos fjalët që tha në Kullë të Jasharajve. Në librin autorial “Luftëtarët e paqes: nga Kosova në Irak” Bernard Kouchner jepe disa të dhëna rreth vizitës së tij Drenicë që ia organizuat ju. Çfarë mund të thoni për këtë ngjarje?

Bardhyl Mahmuti: Edhe në atë vizitë, për organizimin e së cilës një kontribut shumë të rëndësishëm ka dhënë Ramiz Lladrovci, kemi qenë së bashku. Më duhet të sqaroj për lexuesin diçka që i parapriu asaj vizite. Një ditë më parë, një femër e përkatësisë etnike serbe ishte ankuar tek autoritetet e Misionit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (UNMIK) se dikush nga shqiptarët i kishte rënë një grusht në fytyrë dhe ajo kishte syrin e mavijosur. Zoti Kushner kërkoi nga përfaqësuesit politik shqiptarë të dënonin këtë akt dhune dhe, për këtë qëllim, mbajti disa konferenca shtypi të përbashkëta me liderë partish. Kërkoi prej meje të bënim të njëjtën gjë.

Duke mos përjashtuar asnjë hipotezë lidhur me atë se kush mund të qëndronte prapa një akti të tillë, rrjedhimisht duke mos përjashtuar si mundësi as dhunën familjare, unë refuzova të dilja në konferencë me gazetarë dhe të jepja qëndrime rreth një ngjarjeje që nuk e dija si kishte ndodhur. Pas insistimeve të shumta të Kushnerit, unë i vura kusht që përpara se të dilnim në konferencë shtypi për një rast të tillë, të vizitonim Drenicën. Ai pranoi kërkesën time dhe të nesërmen në mëngjes u nisëm për në Drenicë.

Ishim në të njëjtën veturë dhe gjatë rrugëtimit pati mundësi të shihte shkatërrimet e mëdha që dëshmonin për barbarinë serbe dhe të shihte vërtetësinë e asaj që i kisha thënë një ditë më parë. Nga kthesa te Kryqi i Komoranit e deri në Prekaz më falënderoi disa herë që i propozova të shihte një pjesë të realitetit, që e kishte parë vetëm në sekuenca të shkurta televizive.

Me sa më kujtohet, në një odë të vogël që kishte mbetur e pa rrënuar nga Kullat e Jasharjave në Prekaz, na priti me zemër të madhe, Rifat Jashari. Aty ishte edhe Komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, Jetullah Geci, Bashkim Jashari, Gani Koci etj. Pikërisht gjatë këtij takimi z. Bernard Kushner i tha Rifat Jasharit: “nëse do të kishte çmim Nobel për liri, familja juaj do të duhej ta merrte!”, sepse pikërisht nga sakrificat e mëdha në Prekaz bota e kuptoi realitetin e kësaj lufte!

No description available.

Pas vizitës së gërmadhave të Prekazit, shkuam në Poklek. Në hyrje të oborrit të familjes Muçolli, në lartësi rreth 160 cm në të djathtë të derës, shiheshin njolla gjaku. Aty ishin vrarë dy burra në moshë. Në brendi të shtëpisë gërmadhë, ku trarët dukeshin si zorrë nëpër këmbë, kundërmonte erë gjaku dhe gome të djegur. Na treguan se në njërën nga dhomat kishin shpëtuar pa u djegur tërësisht katër kufoma vajzash të reja, ndërkaq mbetjet e 47 “familjarëve të terroristëve” ishin futur në një gropë tjetër. Në një skaj të dhomës, ku kishin qenë të ngujuar edhe fëmijët deri në çastet e fundit të jetës së tyre, Bernard Kushner mori një grusht sërçash të ngjitura mes tyre nga temperatura e lartë.

I tregova se përveç anëtarëve të familjes Muçolli, në këtë shtëpi ishte ekzekutuar shkrimtari Ymer Elshani së bashku me nënën e vet Nailen (75 vjeçe), bashkëshorten Nafijen (45 vjeçe) dhe katër djemtë: Nderimi (10 vjeç), Kujtimi (15 vjeç) Mirani (20 vjeç) dhe Ardiani (25 vjeç).

Kur dolëm nga gërmadha e shtëpisë së familjes Muçolli në oborr, kishin ardhur dy të mbijetuara të krimit të gjenocidit në Poklek (një grua e re e asaj shtëpie dhe një vajzë e vogël që kishin arritur të largohen, megjithëse të plagosura) dhe një ushtar i UÇK-së, pjesëtar i kësaj familjeje.

Bernard Kushner, i mallëngjyer tej mase, e mori vajzën e vogël në krah dhe filloi t’ia ledhatonte kokën. Në atë moment ndërhyri ushtari i UÇK-së dhe kërkoi nga unë t’i përktheja fjalët që dëshironte t’i thoshte Kushnerit.

Nuk më kujtohet emri i këtij ushtari, por ajo që i tha më ka ngelur e ngulitur thellë në kujtesën time dhe jam i sigurt se nuk do ta harroj deri sa të vdes:

“Zoti Kushner! Vajza që mbani në krah është gjashtë muaj më e madhe se vajza ime e madhe që u vra nga forcat serbe në këtë shtëpi! Në këtë shtëpi janë vrarë 53 shqiptarë: 2 pleq, 23 fëmijë dhe 28 gra! Unë humba gruan, tre fëmijët dhe …Ju lidhën fjalët nyje! Dëgjoni zoti Kushner! Unë kam kapur pushkën të luftoj për lirinë e vendit tim dhe t’u dal përballë forcave serbe, me armatim që nuk mund të krahasohet me armët që kishim ne. Çdo ditë kemi marrë lajme të hidhura dhe tepër tragjike për vrasje masive të civilëve shqiptarë, por asnjë herë nuk më ka shkuar ndër mend të hakmerrem ndaj civilëve serbë! Dhe shihni çfarë na kanë bërë…” U përshëndet me ne megjithëse mjekra i dridhje nga dhembja e madhe dhe shkoi.

Mbretëroi heshtje varri. Hipëm në vetura dhe u kthyem në Prishtinë! Gjatë gjithë kohës nuk këmbyem as dy-tri fjalë!

Bernard Kushneri nuk e përmendi më kurrë kërkesën e tij të dilnim në konferencë për shtyp për të dënuar dhunë që një serbe pretendonte se ia kishte bërë një shqiptar! Disa vite më vonë, ai e përshkroi udhëtimin në Drenicë dhe nuk harroi ta përmendte as grushtin me sërça të ngjitura nga temperatura e lartë gjatë djegies së kufomave për të fshehur gjurmët e krimit të gjenocidit.

(Muhamet Mavraj / Vijon)

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij në Hagë, ka…