“Nëse është e nevojshme, do të vijmë papritur natën në Siri”, kë kërcënoi Erdogan?
Turqia ka treguar angazhimin e saj të vendosur për mbijetesën dhe sigurinë e saj, tha të hënën presidenti i vendit, Rexhep Tajip Erdogan teksa i referohej situatës në Siri.
Pas takimit të kabinetit në Ankara, Erdogan deklaroi se “nëse është e nevojshme do të vijmë papritur natën”, duke kërcënuar hapur faktorët që synojnë destabilizimin në rajon.
“Me revolucionin epik në Sirinë tonë fqinje, një epokë e re ka filluar si në këtë vend ashtu edhe në rajonin tonë. Ne shohim se administrata e re siriane është e vendosur të ndërtojë një Siri të bazuar në integritetin territorial dhe unitetin e vendit”, shpjegoi presidenti turk.
Më tej ai tha se “dëshira, pritshmëria dhe politika jonë e sinqertë është në këtë drejtim”.
“Ne nuk do të pranojmë shpërbërjen e Sirisë dhe përçarjen e strukturës së saj të unifikuar me asnjë pretekst. Nëse shohim se ka rrezik në këtë drejtim, do të marrim menjëherë masat e nevojshme. Ata që kishin ëndrra të ndryshme për ta kthyer konfliktin në Siri dhe kërcënimin e në një mundësi, u përballën me realitetet shekullore të rajonit tonë pas zhvillimeve të fundit. Ky realitet është se nuk ka vend për terrorizëm në të ardhmen e rajonit. I vetmi fat që i pret ata që preferojnë terrorizmin dhe dhunën është të varrosen në tokë me armët e tyre. Ju them sinqerisht, asnjë fuqi nuk mund ta pengojë këtë. Turqia ka treguar shumë herë se ka një vullnet të pakompromis për të mbrojtur mbijetesën dhe sigurinë e saj. Nëse arrijmë në atë pikë, mund t’ju vijmë papritmas një natë”, deklaroi Erdogan.
Në një pikë tjetër të konferencës për shtyp Presidenti turk tha se investimet në industrinë e mbrojtjes “nuk janë për përgatitjen për luftë por për ruajtjen dhe mbrojtjen e paqes, pavarësisë dhe së ardhmes”.
“Turqia është një burim besimi dhe sigurie për miqtë e saj, por gjithashtu ka fuqinë të shtypë duart e pista që shtrihen drejt atdheut tonë, pavarësisht se kush janë ata”, tha ai.