‘Nëse familja jonë nuk është në paqe, as bota nuk do të jetë në paqe’
Udhëheqësi i myslimanëve nënvizoi gjendjen e rrezikut të sotëm në botë përpara se të përvijojë parimet e Islamit për vendosjen e paqes së qëndrueshme.
Më 21 gusht 2022, Udhëheqësi botëror i Komunitetit Musliman Ahmedia, Hazret Mirza Masrur Ahmedi përmbylli Kongresin e 46-të Vjetor të Komunitetit Musliman Ahmedia në Gjermani me një fjalim frymëzues.
Seanca përmbyllëse praktikisht u mbajt në Sallën Masrur në Islamabad, Tilford (Mbretëri e Bashkuar), ndërsa më shumë se 19,700 njerëz morën pjesë në Kongresin Vjetor 3-ditor në qytetin Karlsruhe të Gjermanisë. Ata që nuk mundën të merrnin pjesë për shkak të kufizimeve të Covid-19, si në Gjermani ashtu edhe gjetiu, kishin mundësi të dëgjonin drejtpërdrejt fjalimin përmbyllës frymëzues e besimshtytës.
Gjatë fjalimit të tij, Hazret Mirza Masrur Ahmedi nënvizoi parimet kryesore të paqes që bota ka shumë nevojë për të shmangur një luftë tjetër botërore. Ai paraqiti pikëpamjen e tij se mësimet e Islamit mbi paqen ishin e vetmja përgjigje për çështjet me të cilat përballet bota sot.
Duke filluar fjalimin e tij, ai tha: “Për një kohë të gjatë, kombet evropiane dhe vendet e tjera perëndimore apo vendet e fuqishme ishin në mendimin se luftrat po bëhen në vendet e varfra dhe janë mijëra milje larg prej nesh dhe ne jemi të shpëtuar. Situata ishte e vështirë, njerëzit po vriteshin, gratë po bëheshin të veja, njerëzit po sakatoheshin, dhe gjithë kjo sipas këtyre po ndodhte në Azi, në vendet e varfra, dhe thoshin ‘çka na duhet neve që të interesohemi, ne jemi vende të zhvilluara’. Dhe këto vende të zhvilluara ua shisnin armët sepse donin që vetëm atyre t’u lulëzonte tregtia dhe nuk u interesonte se aty sa veta po vdisnin, sa veta po vriteshin. Por e kishin harruar që kjo situatë mund të kapërcente, mund të përshkallëzohej dhe mund të vinte deri këtu. Në këtë tregti atyre iu verbuan sytë, iu sakatuan mendjet, dhe sot e gjithë bota po shikon dhe po dëshmon se po ndodhë pikërisht ajo që ishte pritur, edhe Evropa po përfshihet në luftë për shkak të Ukrainës, Rusia dhe vendet e NATO-s janë rreshtuar ballë për ballë”.
Hazret Mirza Masrur Ahmedi më tej tha: “Allahu e di më mirë se kush do të fitojë ose sa shumë humbje do të pësojë secila palë. Por ajo që është e sigurt është kjo që rezultatet dhe pasojat do të jenë të tmerrshme. Në qoftë se edhe tani nuk do të punojnë me mendje, me logjikë, me urtësi, i pret një shkatërrim shumë i madh. Shohim se tani është ngritur edhe çështja e Tajvanit, duket shumë e qartë që e gjithë bota po qëndron pranë një lufte të tmerrshme”.
Ai përmendi një citim të themeluesit të Komunitetit Musliman Ahmedia (Hazret Mirza Ghulam Ahmedi) në të cilin ai tha:
“Oj Evropë, as ti nuk je në paqe! Oj Azi, as ti nuk je e sigurt! …Unë shoh qytetet në rrënoja, dhe vendbanime të shkretuara”.
Përveç themeluesit së këtij Komuniteti, edhe udhëheqësit tjerë që erdhën si zëvendës pas tij, paralajmëruan vazhdimisht për retë e errëta të luftës që po pushtojnë gjithnjë e më shumë botën. Për një kohë të gjatë, shumë njerëz i konsideronin këto paralajmërime si boshe, por të njëjtit njerëz tani po vijnë në të njëjtat përfundime.
Duke përmendur se analistët e mendimit ose ‘ekspertët’ e politikës së jashtme tani më në fund po e njohin rrezikun në fjalë, por nuk kanë zgjidhje reale, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha: “Ata nuk kanë zgjidhjen për vendosjen e paqes së qëndrueshme dhe në të vërtetë, e si mund ta kenë, sepse ata kanë shikimin drejt paqes globale. Ata janë të zhytur në materializëm dhe e kanë harruar besimin. Aty ku është zgjidhja e kësaj situate, këto shtete jo-islamike as nuk duan të vijnë madje, fatkeqësisht, as vendet muslimane nuk duan të vijnë”.
Ndërsa duke cituar pohimet e analistëve që thonë se shkatërrimi që do të bëhet pas një lufte bërthamore midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë aq i madh saqë sipas një llogaritjeje, gjatë luftës dhe dy vite pas saj, për shkak të përdorimit të armëve bërthamore, dy të tretat e popullsisë së botës do të asgjësohet, ai tha: “Nëse shpërthen një luftë bërthamore, do të ketë një shkatërrim të tillë që as nuk mund të imagjinohet. Një njeri i thjeshtë as nuk mund ta çoj nëpër mend, pra është një situatë shumë e rëndë. Në një situatë të tillë, në qoftë se ka ndonjë shpresë drite dhe nëse ka një garanci për paqe, ajo është vetëm një, dhe të cilin Allahu i Madhërishëm e dërgoi me mesazhin e paqes dhe të sigurisë, i cili është Mbreti i Paqes [Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të)], i cili është më i dashuri tek Allahu nga të gjithë njerëzit, të cilit Ai ia dërgoi librin e Tij përfundimtar, mësimet e të cilit janë vetëm mësime për dashurinë”.
Duke folur më tej për dëshirën e zjarrtë që kishte Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) që njerëzit të jetonin së bashku në paqe dhe siguri, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha: “Për shkak të kontaktit të tij të fortë me Zotin, për shkak të detyrës që ai pati për ta përhapur atë në anekënd botës dhe për shkak se e ndjeu vështirësinë më të madhe gjatë kësaj detyre, e kishte sfilitur veten, e kishte dërrmuar veten duke u përgjëruar tek Allahu aq shumë saqë Allahu i Madhërishëm i tha:“A do ta shkatërrosh veten se pse ata nuk po bëhen besimtarë?!” Pra, ky është ai personalitet që pati dhimbje për njerëzimin, që njerëzit të kthehen tek Krijuesi i tyre dhe të shpëtojnë nga shkatërrimi.”
Duke folur për njërën nga parimet kryesore të mësuara nga Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) për vendosjen e paqes që është: ‘dëshironi për të tjerët atë që dëshironi për veten tuaj’, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha: “Ne duhet të kujtojmë gjithmonë këtë parim të artë që duhet të dëshirojmë për të tjerët atë që dëshirojmë për veten tonë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm që në rastin e mospaanësisë, pra kur të jemi të anshëm, ne nuk mund të gëzojmë dot ndihmën e Allahut. Kështu që paqja botërore e vërtetë mund të arrihet vetëm atëherë kur bota do të ketë këtë ndjesi, këtë besim që ai po punon për hir të Krijuesit të botës”.
Duke e shtjelluar më tej këtë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi përmendi parimet e paqes të mësuara nga Profeti Muhammed (paqja qoftë mbi të) dhe tha:
“Ne e dimë që derisa nuk i kemi të pastra qëllimet, as veprat tona nuk mund të bëhen të pastra… Sot, pavarësisht se bota nuk e pëlqen luftën, çdo lider do të dëgjoni se thotë se nuk duam luftë por kuptimi i kësaj deklarate të tyre është që lufta është e keqe në qoftë se luftohet kundër nesh, por në qoftë se ata e nisin luftën, kjo nuk është e keqe për ta. Ky ndryshim vjen për arsye sepse sytë e tyre nuk janë drejt Krijuesit i Cili është Paqja dhe Paqedhënësi. Ata mendojnë se duan të ngrejnë sloganin e paqes për sa kohë që atyre u mbrohet interesi, por kur do të mbështetet armiku, në asnjë mënyrë nuk mund të ngrejnë këtë slogan. Ata e mendojnë këtë kur shikojnë që atyre u lulëzon tregtia, kur ata janë duke u shitur armët pavarësisht se prej atyre po shkatërrohet një botë e tërë. Prandaj, si mund të vijë paqja nga njerëzit e tillë?”
Duke folur për filozofinë që mund të çojë në paqe të vërtetë, Hazret Mirza Masrur Ahmedi tha:
“Vendosja e paqes së vërtetë mund të vijë prej atij qëllimi që buron nga besimi se ka një Zot i cili është Krijuesi i gjithë botës dhe njeriu ka detyrime ndaj Tij. Kur do ta kemi të pastër këtë besim atëherë standardet e veprave tona do të ndryshojnë. Ne atëherë nuk do të shikojmë se kjo na sjell dobi apo jo, por do të synojmë që bota çfarë të mire do të ketë prej kësaj vepre. Më pas ata do të shohin më lart se vetvetja, më lart se interesat personale. Ai që e beson se ka një Zot lart, kurrë nuk do të veprojë vetëm për intereast e tij, sepse ai është i vetëdijshëm që ai Zot i Lartë do ta shkatërrojë atë në rast se do të bëj padrejtësi. Prandaj, paqja botërore nuk mund të vendoset derisa nuk do të vendoset drejtësia në bazë të standardit të Zotit të Madhërishëm”.
Duke përfunduar fjalimin e tij, Hazret Mirza Masrur Ahmedi u kujtoi muslimanëve ahmedianë përgjegjësitë e tyre të mëdha dhe tha: “Sot kjo detyrë [e vendosjes së paqes së vërtetë] i përket Komunitetit Musliman Ahmedia. Në qoftë se edhe ne që nga familja, që nga shtëpia deri te rangu ndërkombëtar nuk do të luajmë rolin tonë, atëherë as ne nuk jemi në paqe, as brezat tanë të ardhshëm nuk janë në paqe, as fëmijët tanë nuk janë në paqe, as bota nuk do të jetë në paqe. Prandaj, Allahu i Madhërishëm na bëftë mjete për të sjellë botën nga lufta në paqe! Allahu na mundësoftë ta realizojmë detyrën tonë siç duhet!”.
Burimi i shkrimit të plotë në gjuhën angleze:
Jalsa Salana Germany 2022 Concludes with Faith Inspiring Address