Nëse injorohet Kosova Lindore, Kosova do të përballet me bllokadë
Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes për Bashkim, Avni Klinaku, ka pritur të martën në takim kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për zhvillimet e fundit lidhur me bisedimet Kosovë – Serbi, për zgjidhjen më të mirë për problemin shqiptaro-serb dhe gjendjen e rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë.
Klinaku në emër të Lëvizjes për Bashkim e ka mbështetur deklaratën e përbashkët të tri kuvendeve komunale të Kosovës Lindore përmes së cilës kërkohet përfaqësimi i shqiptarëve të kësaj treve në bisedimet Kosovë – Serbi.
Sa i përket çështjes së pazgjidhur midis Kosovës e Serbisë, palët u pajtuan që hapi më i mirë drejt zgjidhjes është reciprociteti në të drejta midis banorëve të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut dhe atyre të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës deri në ridefinim të kufijve, si zgjidhje përfundimtare për problemin.
Mustafa, duke shprehur mirënjohjen e tij për angazhimin e Lëvizjes për Bashkim për çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore, tha se kjo është qasja e duhur ndaj problemit. Përndryshe, në rast se injorohet çështja e Kosovës Lindore, për pasojë, Kosova do të përballet me bllokadë për shkak të një asociacioni të fuqishëm dhe fuqisë bllokuese të serbëve në Kuvendin e Kosovës.
Ndërsa Klinaku u zotua se LB-ja do të angazhohet me tërë potencialin e vet në funksion të zgjidhjes së drejtë të këtij problemi dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim në çdo aspekt.
/Epoka e re/