‘Nëse LDK-ja do ta drejtojë qeverinë, do të hiqet reciprociteti’
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka thënë se nëse qeveria e ardhshme drejtohet nga kjo partie, atëherë masa e reciprocitetit ndaj Serbisë do të hiqet.
Mustafa në një konferencë për medie ka thënë se heqja e reciprocitetit është premtim që i është dhënë të dërguarit të posaçëm të presidentit amerikan për dialogun, ambasadorit Richard Grenell.
“Sa i përket ambasadorit Grenell mund të them se i kemi premtuar, edhe këtu kur ka qenë në LDK, se ne do të pajtohemi që të hiqet tarifa dhe të hiqet pa kushte për një periudhë dhe po ashtu që ne presim që njëjtë të sillet edhe Serbia që t’i heqë të gjitha pengesat karshi Kosovës, përfshirë edhe fushatën që po e bën kundër njohjeve të Kosovës”.
“Po ashtu kemi biseduar për faktin se nëse Serbia nuk i sjellë në zero të gjitha pengesat e saj, atëherë ne do ta instalojmë reciprocitetin si bazë ligjore, sepse një çështje e tillë është përcaktuar edhe me ligje të Kosovës”.
“Për të qenë i qartë: Jam i sigurt se në momentin që LDK-ja do ta drejtonte një qeveri, atëherë hapat e parë të kësaj qeverie do të ishin që reciprociteti të hiqej, por jo të hiqet për të mos u vendosur kurrë, por të hiqet si vullnet i mirë për të filluar dialogu. Nëse më vonë shihet që Serbia nuk po vepron njëjtë të kthehet një reciprocitet i plotë edhe ekonomik edhe politik”, ka deklaruar Mustafa.