Nëse më gënjen politika, mos më zhgënje populli im
Nga Jeton Kelmendi
Katër vitet e fundit kanë qenë një periudhë plot pritshmëri, natyrisht për shumëkënd, përplotë shpresa dhe zhgënjime të thella. Si qytetarë të Republikës së Kosovës, kemi kaluar përmes sfidave të mëdha sociale, politike dhe ekonomike, gjithnjë me besimin se zgjedhjet tona dhe angazhimi ynë do të na çonin drejt një të ardhmeje më të mirë. Mirëpo, ajo që ndodhi ishte një zhgënjim i thellë nga politika dhe qeverisja, e cila në vend që të pasqyronte vullnetin e popullit, i shërbeu interesave të ngushta dhe shpeshherë vetë shkatërruese. Zhgënjimi shtrihet nga mirëqenia qytetare, e deri tek politika e jashtme, ose thënë shkurt deri tek masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës dhe raportet e ftohura me ShBA-të.
Prej besimit në zhgënjim
Gjatë zgjedhjeve të kaluara, kemi treguar një nivel të lartë të mobilizimit qytetar. Ne besuam se përfaqësuesit tanë do t’i përgjigjeshin nevojave dhe shpresave tona. Premtimet për transparencë, zhvillim ekonomik, arsim më të mirë dhe luftë kundër korrupsionit dukeshin të gjitha tërheqëse. Fatkeqësisht, ajo që kemi përjetuar ka qenë një rrënie e thellë e standardeve të qeverisjes dhe një mospërputhje e plotë mes premtimeve dhe veprimeve. Besimi për shumicën e qytetarëve ishte i madh, por pasi që pothuajse çdo premtim u kthe ne realizim në të kundërten. E kësaj pune, nëse i japim një emërues, del se politika na gënjeu, këtu e kam fjalën për politikëbërësit Kosovar, por natyrisht se gënjyesit e mëdhenjë janë pushtetarët. Ajo nuk dëshmoi të jetë një forcë në shërbim të qytetarit, por një makineri e pandalshme e interesave personale dhe grupore. Vendime të paarsyeshme, korrupsioni i vazhdueshëm dhe mungesa e një vizioni afatgjatë e kanë bërë gjithnjë e më të vështirë jetën për qytetarët e zakonshëm, të cilët e përbëjnë shumicë ne vendin tone.
Por, a është kjo vetëm faji i politikanëve? Kurrsesi jo. Shoqëria jonë ka treguar gatishmërinë për të ndryshuar, për të dhënë një mundësi të reja dhe të përqafojë një të ardhme ndryshe. Nuk është gabimi i popullit që ka besuar. Besimi është një tipar fisnik dhe një domosdoshmëri për ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme. Gabimi qëndron te ata që e kanë keqpërdorur këtë besim. Pra, ajo që po del të jetë e vërteta është se populli të beson një here, por do të ishte zhgenjim nëse large qoftë e keqja të besoj serish të njëjtat gënjeshtra.
Sot, kur shohim mbrapa, e kuptojmë se paskemi qenë të gënjeshtër. Jo vetëm përmes premtimeve boshe, por edhe përmes një manipulimi të vazhdueshëm të perceptimit të realitetit. Politika e ka kthyer zhgënjimin në normë. Por, përballë kësaj, nuk mund të ndalemi vetëm te kritika. Duhet të reflektojmë dhe të marrim vendime që përfaqësojnë interesat tona më të mira. E nëse ndalemi dhe e shikojmë mire vetën tone, si shoqëri se ku jemi, kjo mbase më së miri e ilustron vet ikja e rinisë dhe profesionistëve nga Republika.
Nëse do të zgjedhim përsëri të njëjtët politika, të njëjtët premtime dhe të njëjtët fytyra që na zhgënyen, zhgënjimi nuk do të jetë më vetëm i yni si individë. Do të jetë zhgënjimi i gjithë popullit tonë, sepse ne kemi mësuar nga e kaluara dhe nuk kemi justifikime për të bërë të njëjtat gabime.
Politika dhe përgjegjësia
Në demokraci, populli është sovran. Por sovraniteti nuk do të thotë vetëm e drejta për të votuar. Do të thotë gjithashtu përgjegjësi për të mbajtur politikanët përgjegjës. Kur shohim se kemi qenë të mashtruar, detyra jonë është të mos heshtim, të mos përulemi dhe të mos pajtohemi me status quo-në. Ajo më elementarja, pra më e thjeshta është, t’i ndeshkojmë me votë. Kinezët thonë ‘Nëse më mashtron një here, është gabimi yt, e nëse me gënjen serish me të njëjtat gjëra, pastaj është budallakia ime’.
Sistemi ynë politik ka nevojë për një reformë të thellë. Transparenca, meritokracia dhe pjesëmarrja e qytetarëve duhet të jenë themelet e së ardhmes. Por këto nuk mund të ndodhin nëse ne si shoqëri nuk marrim përgjegjësinë për veprimet tona. Protestat, organizimi qytetar dhe pjesëmarrja aktive në jetën publike janë mjetet tona më të fuqishme. Duhet t’i përdorim, por me sensin pozitiv.
Të ardhmen nuk mund ta tallim
Kosova është një vend me burime të jashtëzakonshme njerëzore dhe energji rinore. Por, të ardhmen nuk mund ta tallim me eksperimente të pafundme politike që në fund prodhojnë të njëjtat rezultate të dështuara. Nuk kemi kohë për të bërë më gabime. Nuk kemi luksin të eksperimentojmë me të ardhmen tonë.
Për të ndërtuar një të ardhme më të mirë, duhet të kërkojmë ndryshim të vërtetë. Kjo nënkupton të hedhim poshtë të gjitha format e populizmit të zbrazët dhe të kërkojmë llogaridhënie të qartë. Duhet të mbështesim individë dhe parti që vërtetë shfaqin vlera dhe të refuzojmë ata që na tregojnë përralla. E kjo, nëse dëshirojmë të ndodh, duhet që së pari t’u biem shqelma inateve dhe ta çlirojmë vetën nga inatet, pastaj e ardhmja do të jetë më e mire. Përndyshe, të ardhmen po e tallim dhe për ketë nuk do të na ne fal as e ardhmja e as historia.