‘Nëse nuk arrijmë marrëveshje për shpërndarjen e Kuvendit deri më 30 maj, humb mundësia për zgjedhje të parakohshme’
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalën e tij para gazetarëve ka folur rreth diskutimeve që po bëhen për shpërndarjen e Kuvendit.
Ai ka thënë se nëse Kuvendi nuk shpërndahet deri më 30 maj, atëherë humb mundësia për zgjedhje të parakohshme.
“Le që nuk bëhet llaf të kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare pa opozitën, por as ligjet e tjera. Bëjmë thirrje të partitë në opozitë që të reflektojnë mbi kërkesën e PDK-së që të hapet rruga për zgjedhje përmes shpërndarjes së Kuvendit. Duhet lexuar drejtë edhe lëvizja e Kurtit, fakti që i ka hapur mundësi shpërndarjes së Kuvendit, kjo tregon që kryeministri po i hap rrugë zgjedhjeve të reja dhe krijimit të një qeverie të re. Kjo shumicë nuk do ta udhëheqë Kosovën pas zgjedhjeve të ardhshme, Kosova do ta ketë një kryeministër të ri dhe qeveri të re. Është e padrejtë që kjo t’i pamundësohet qytetarëve të Kosovës. Më e rëndësishme se mënyra, janë zgjedhjet dhe krijimi i një qeverie të re. Ajo e nxjerr Kosovën nga saksionet, nga gjendja e rëndë në të cilën është aktualisht”.
“Duhet t’i hapet rruga zgjedhjeve qoftë me 30 qershor, qoftë më 7 korrik. Dita e enjte do të jetë dita e fundit për shpërndarjen e Kuvendit, ose më 30 maji. Nëse deri më 30 maj nuk arrijmë dakordim për shpërndarjen e Kuvendit, e hupim mundësinë për zgjedhje më 30 qershor ose 7 korrik. Rezultatet e krejt këtij procesi, do t’ua komunikojë ditët në vijim kryetari i PDK-së. Nuk kemi heq dorë, po punojmë”, ka thënë Tahiri, duke shtuar se zgjedhjet kanë kuptim vetëm nëse mbahen në fillim të kësaj vere.
“Ajo që po tentojmë ne është që votimi të ketë sukses. Ne e kemi një gjuhë korrekt në raport me të gjithë, dhe do të vazhdojmë të jemi ashtu sepse interesi madhor është Kosova ta ketë një qeveri të re që e nxjerr nga këto sfida. Ne e kemi bërë të qartë edhe para takimit me kryeministrin. Zgjedhjet kanë kuptim nëse mbahen në fillimin e kësaj vere, më 30 qershor ose 7 korrik. Çka shkon përtej këtyre datave, Kosova shkon në zgjedhje të rregullta”, ka thënë Tahiri.