Nëse nuk zgjedhet presidenti, do të kemi edhe një cikël zgjedhjesh në verë ose në vjeshtë

07 shkurt 2021 | 12:42

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka komentuar aktivitetet e deritashme të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se intensiteti i fushatës nuk ka qenë sikur për zgjedhjet e rregullta, jo vetëm për shkak të pandemisë, por edhe për faktin se krejt çfarë ka ndodhur në politikën e Kosovës gjatë një viti ka qenë e lidhur me përsëritjen e zgjedhjeve, pra një fushatë e zgjatur.

“Ajo çfarë po ndodh prej se më në fund u shpallën zgjedhjet e jashtëzakonshme, tregon siguri të sforcuar të Lëvizjes Vetëvendosje se do t’i fitojë bindshëm zgjedhjet, të cilat po i quan referendum, kundrejt pasigurisë të partive tjera që më shumë konfrontohen mes vete sesa që përpiqen ta ndalin triumfin e LV-së”, ka thënë Maliqi.

Maliqi ka thënë se kjo fushatë është në dy fronte konfrontimesh me gjuhë të ashpërsuar.

“Nga njëra anë LDK-ja i ka edhe më tej hesapet e papastruara me LV-në, pasi që saga e “qeverisë së shpresës” e vitit 2019 përfundoi turpshëm dhe shkaktoi largimin e Vjosa Osmanit në listën e LV-së. Osmani, si duket, ka gjasa që t’i shkëputë shumë vota LDK-së. As leksioni i Podujevës, ku në zgjedhjet lokale LDK-ja humbi bindshëm bastionin e vet më të madh, nuk u kuptua seriozisht nga Isa Mustafa dhe garda e vjetër e LDK-së, që t’i japin më shumë hapësirë si dhe drejtimin e partisë asaj vale të re të politikanëve që i mbetën luajalë LDK-së, dhe që do ta mund ta ndalte rrjedhjen e madhe të votës që tërheq Vjosa Osmani. Në frontin tjetër, gjuha edhe më e ashpër dëgjohet në konfrontimin rreth kontingjentit të votave në favor të luftës çlirimtare për të cilën në garë janë PDK-ja, Nisma dhe AAK-ja. Akuzat e ndërsjella dhe gjuha denigruese në vend të bashkëpunimit, në përgjithësi, ka efekt kundërproduktiv, sidomos te votuesit e rinj”, ka thënë Maliqi.

Ndërkaq duke folur edhe për zgjedhjen e presidentit, ku tanimë kemi tri kandidatura për presidentë, Ramush Haradinaj, Vjosa Osmani dhe Behgjet pacolli, Maliqi ka thënë se nëse nuk zgjedhet presidenti atëherë vendi do të shkojë sërish në zgjedhje të reja në verë.

“Zgjedhjet janë për Kuvendin dhe për deputetët. Kuvendi besoj se do ta ketë kapacitetin që ta zgjedhë kryeministrin, por meqë nuk e kemi presidentin me kapacitet të plotë dhe po përfundon periudha e zëvendëspresidentes, ky Kuvend duhet ta zgjedhë edhe presidentin e ri, e që nuk mund ta dimë a do të jetë e mundshme. Nëse jo, do të kemi edhe një cikël zgjedhjesh gjatë verës ose në vjeshtë”, ka deklaruar Maliqi.

Në këtë link mund ta lexoni intervistën e plotë të Shkëlzen Maliqit:

Partitë e tjera po konfrontohen mes vete, s’po përpiqen ta ndalin triumfin e LV-së

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Super rezidenca prej 12 milionë paund e George Clooney, është…