
Nëse Reali nuk fiton trofe, Ancelotti do të largohet
Carlo Ancelotti, me tri trofe të Champions League në stolin e Real Madridit, nuk është i paprekshëm. Humbja e fundit 3-0 kundër Arsenal ka hapur sërish diskutimet në Spanjë për të ardhmen e trajnerit italian.
Pavarësisht se Ancelotti ka kontratë me klubin deri në vitin 2026, qëndrimi i tij në Madrid është i kushtëzuar nga rezultatet në fund të sezonit. Nëse Reali nuk arrin të fitojë asnjë trofe madhor, si La Liga apo Champions League, atëherë drejtuesit mund të vendosin për një ndarje të bujshme. Gjithçka mund të ndryshojë shpejt, nëse “Los Blancos” arrijnë ta përmbysin rezultatin ndaj Arsenalit ose të parakalojnë Barcelonën në kampionat.
Një tjetër element që e bën situatën të komplikuar është emri i Xabi Alonsos, i cili përflitet prej kohësh si pasuesi i mundshëm i Ancelottit. Kjo nuk është thjesht një zë, pasi presidenti Florentino Perez e ka piketuar prej kohësh trajnerin bask si njeriun që mund të drejtojë projektin e ri të Realit.
Edhe pse shpesh ka deklaruar se dëshiron ta mbyllë karrierën në Madrid, Ancelotti po tundohet nga një rikthim në Serie A. Roma dhe Milan janë dy klubet që do ta mirëprisnin menjëherë për sezonin e ardhshëm. Ndërkohë, një tjetër alternativë shumë e rëndësishme është edhe stoli i përfaqësueses së Brazilit, që është gati t’ia besojë drejtimin për Kupën e Botës 2026.