‘Nëse shihet nga prizmi i sigurisë Kosova moti e ka merituar anëtarësimin në NATO’

09 qershor 2022 | 15:33

Presidentja Vjosa Osmani, ka vizituar të enjten Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), ku është pritur në takim nga komandanti Bashkim Jashari.

Në një konferencë për media, Osmani ka falënderuar ushtarët dhe komandën për punën dhe kontributin e tyre që janë duke e dhënë.

“Kishim takime përmbajtjesore me komandantin e FSK-së dhe pastaj me shtabin e përgjithshëm i diskutuam të gjitha, çështjen mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Mandati kryesor i ushtrisë sonë është mbrojtja e shtetit, sovranitetit dhe integritet territorial”, ka thënë Osmani.

Osmani ka theksuar se Kosova ka kohë që do të duhej të anëtarësohet në NATO.

“Ftesa për t’u anëtarësuar në Partneritetin për Paqe (PPF) në kuadër të NATO-s duhet të bëhet me unanimitet të plotë të 30 shteteve. Jemi duke punuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe me shtetet tjera të NATO-s që të binden edhe ato katër shtete anëtare të NATO-s që akoma nuk e kanë njohur Kosovën që mos të parandalojnë anëtarësimin e Kosovës në PPF.  Kosova do të jetë një vlerë e shtuar dhe do të mund të kontribuojë në siguri. Jemi duke u përballur më një situatë absurde ku shtete si Serbia dhe Bjellorusia janë PPF përkundër faktit që janë shtete anti-NATO, dhe as nuk kanë ndonjë qëllim për t’u anëtarësuar në NATO”.

“Kurse Kosova, shtet që e ka formuar ushtrinë mbi parametrat e NATO-s, me ndihmën e NATO-s akoma nuk e  ka marrë një ftesë të tillë. Besoj se shtetet janë të bindura që këto vendime duhet të shihen nga prizmi i sigurisë. Nëse shihen nga ky prizëm, Kosova që moti e ka merituar të jetë në PPF dhe në NATO”, ka thënë Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Delegacionet e rregullatorëve të medieve nga Kosova dhe Shqipëria gjatë…