Nëse shkohet në zgjedhje të reja, PAN-i në qeveri e LV e LDK në opozitë
Analisti politik Ramush Tahiri ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për bllokim të marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje (LV).
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e padrejtë që kjo parti t’i kërkojë shtatë ministri ose t’i kthehet posti i kryeparlamentarit dhe pesë ministri.
Tahiri ka deklaruar se nëse nuk ka marrëveshje LV – LDK presidenti duhet ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër edhe pa propozim formal të LV-së.
Ai ka treguar se presidenti këtë mund ta bëjë duke u thirrur në konsultimin që ka pasur me të dhe në videomesazhin që Kurti ka publikuar në “Facebook”, përmes të cilit ka treguar se është kandidat i LV-së për kryeministër dhe ka propozuar ministrat e subjektit të tij.
Tahiri ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje të reja, PDK-ja bëhet bashkë me Nismën mund të dalë e para dhe PAN-i mund të vijë në qeveri dhe LV-ja e LDK-ja të kalojnë në opozitë.
“Epoka e re”: Z. Tahiri, as takimi i tretë i kësaj jave në mes të LV-së dhe LDK-së nuk ka sjellë ndonjë marrëveshje. Cili është komenti juaj?
Tahiri: Është keq që nuk po ka rezultat për arritjen e marrëveshjes për koalicion në mes të LDK-së dhe LV-së. Edhe më keq është që nuk po bëhen publike dallimet se për çka nuk po arrihet kjo marrëveshje. Opinioni me të drejtë ose pa të drejtë po konsideron se LDK-ja me kërkesat për shtatë ministri faktikisht po e bllokon procesin e marrëveshjes, sepse po i vendos në pozitë shumë të keqe Albin Kurtin dhe LV-në. Se a është e vërtetë që LDK-ja po i kërkon shtatë ministri këtë do ta dimë nëse marrëveshja nuk arrihet përfundimisht, sepse atëherë palët duhet të tregojnë se ku i kanë pasur dallimet.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e së premtes të gazetës “Epoka e re”)