Nëse shkohet në zgjedhje të reja, PAN-i në qeveri e LV e LDK në opozitë
Analisti politik Ramush Tahiri ka fajësuar Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) për bllokim të marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje (LV).
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se është e padrejtë që kjo parti t’i kërkojë shtatë ministri ose t’i kthehet posti i kryeparlamentarit dhe pesë ministri. Tahiri ka deklaruar se nëse nuk ka marrëveshje LV – LDK presidenti duhet ta mandatojë Albin Kurtin për kryeministër edhe pa propozim formal të LV-së.
Ai ka treguar se presidenti këtë mund ta bëjë duke u thirrur në konsultimin që ka pasur me të dhe në videomesazhin që Kurti ka publikuar në “Facebook”, përmes të cilit ka treguar se është kandidat i LV-së për kryeministër dhe ka propozuar ministrat e subjektit të tij.
Tahiri ka thënë se nëse shkohet në zgjedhje të reja, PDK-ja bëhet bashkë me Nismën mund të dalë e para dhe PAN-i mund të vijë në qeveri dhe LV-ja e LDK-ja të kalojnë në opozitë
“Epoka e re”: Z. Tahiri, as takimi i tretë i kësaj jave në mes të LV-së dhe LDK-së nuk ka sjellë ndonjë marrëveshje. Cili është komenti juaj?
Tahiri: Është keq që nuk po ka rezultat për arritjen e marrëveshjes për koalicion në mes të LDK-së dhe LV-së. Edhe më keq është që nuk po bëhen publike dallimet se për çka nuk po arrihet kjo marrëveshje. Opinioni me të drejtë ose pa të drejtë po konsideron se LDK-ja me kërkesat për shtatë ministri faktikisht po e bllokon procesin e marrëveshjes, sepse po i vendos në pozitë shumë të keqe Albin Kurtin dhe LV-në. Se a është e vërtetë që LDK-ja po i kërkon shtatë ministri këtë do ta dimë nëse marrëveshja nuk arrihet përfundimisht, sepse atëherë palët duhet të tregojnë se ku i kanë pasur dallimet.
“Epoka e re”: Sipas jush, si do të duhej të ndaheshin postet?
Tahiri: Meqenëse LV-ja është partia e parë, konsideroj se posti i kryeministrit me automatizëm i takon asaj, kurse dhjetë ministritë e tjera duhet të ndahen 5 me 5. Se cila nga këto ministri është më e rëndësishme i mbetet të zgjedhë LDK-së, meqenëse ajo po shihet se është më e pakënaqur. Ndërsa kryeparlamentari me Kushtetutë i takon LV-së dhe nuk bartet te partia e dytë. Për mua ka qenë komplet e padrejtë juridikisht dhe politikisht kërkesa e LDK-së për ta marrë kryeparlamentarin për ta bërë pjesë të ndarjeve kushtetore, sepse kryesia e Kuvendit ndërtohet për balancë të forcave. Do të ishte e turpshme nëse del që marrëveshja nuk është arritur për një post ministror ose dy poste ministrore. Edhe më e turpshme do të jetë nëse arrihet marrëveshja dhe LDK-ja do t’i ketë shtatë ministri, duke thënë se dihet çfarë peshe ka posti i kryeministrit. Pra, kryeministri nuk ka sektor, ai punon përmes ministrave. Nuk e di pse thonë ata se kryeministri vlen sa tre ministra. Ai në qeveri e ka një votë. Nëse dakordimi do të kishte një marrëveshje ku LDK-ja do t’i ketë shtatë ministri, LV-ja tri dhe minoritetet dy, kjo do të ishte një absurd i madh.
“Epoka e re”: Domethënë, LV-ja e ka pranuar formulën 6 me 4?
Tahiri: LDK-ja, sipas burimeve të mia, nuk po e pranon as ofertën 6 me 4. Ajo po i dëshiron shtatë ministri. Sepse LV-ja është pajtuar me formulën 6 me 4, por LDK-ja po dëshiron më shumë. Ose është formula tjetër që po e kërkon LDK-ja, qeveria të ndahet 5 me 5, të japë dorëheqje Glauk Konjufca nga posti i kryeparlamentarit dhe ky post t’i takojë LDK-së. Gjithashtu, LDK-ja kërkon zotimin për president. Për mendimin tim, do të ishte e turpshme që z. Konjufca të jepte dorëheqje.
“Epoka e re”: Si duhet të veprohet nëse këto parti nuk arrijnë një marrëveshje? Çfarë duhet të bëjë presidenti tani?
Tahiri: Mendoj se presidenti Hashim Thaçi duhet ta nominojë Albin Kurtin për kryeministër sepse Albin Kurti përmes videomesazhit të publikuar në profilin e vet në “Facebook” është deklaruar se është kandidat i LV-së për kryeministër. Në atë videomesazh ai ka thënë se si kandidat për kryeministër i LV-së i ka propozuar ata emra për ministra nga subjekti që drejton. Një veprim i tillë është pranim se është kandidat për kryeministër, pra me videomesazh dhe me shkrim ai deklarohet. Mendoj se tani Thaçi nuk ka nevojë të konsultohet se kush do të jetë kandidat për kryeministër nga LV-ja. Presidenti Thaçi, nëse e dekreton Kurtin për kryeministër duke u thirrur në këtë videomesazh dhe duke u thirrur në konsultimin që ka pasur me të, sipas nenit 95 të Kushtetutës, mund ta nominojë Kurtin për kryeministër.
“Epoka e re”: Por LV-ja përmend nenin 84 të Kushtetutës, duke thënë se kjo parti duhet ta propozojë me anë të një shkrese z. Kurti për kryeministër?
Tahiri: Natyrisht se neni 84 thotë se me propozim të Vetëvendosjes, por tani propozimi i LV-së është se Albin Kurti e ka propozuar vetveten në videomesazhin në “Facebook” ku u tregoj të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe LDK-së se ai ka caktuar pesë ministrat e tij, ndërsa ka ftuar partnerin e tij politik t’i propozojë pesë emra të tjerë. Nëse presidenti Thaçi sot e nxjerr këtë dekret, z. Kurti nga sot i ecën 15-ditëshi i paraparë në Kushtetutë. Për mua është e pandershme që z. Kurti po refuzon ta marrë nominimin, duke thënë se presidenti e di që nuk ka marrëveshje. Presidentit nuk i intereson nëse ka marrëveshje apo jo. Presidentit i intereson vetëm a je ti kandidat i partisë së parë. Se a ke marrëveshje apo jo, ajo duhet të dëshmohet në Kuvend, jo te presidenti. Nëse presidenti e dekreton kandidatin për kryeministër, z. Kurti brenda 15 ditësh duhet të shkojë në Kuvend dhe nëse i merr votat e mjaftueshme zgjedhet kryeministër, nëse nuk i ka votat bie. Por, nëse ai refuzon dhe nuk shkon në Kuvend për t’u votuar, kjo merret sikur e ka konsumuar të drejtën dhe nuk është zgjedhur. Pastaj, presidenti Thaçi brenda afatit tjetër e cakton kandidatin tjetër për kryeministër. Jo prej të njëjtës parti, jo prej partisë së dytë, apo të tretë, por prej kujt dëshiron ai. Domethënë ai e vlerëson se kush i ka numrat. Në këtë fazë, prapë mundet që PAN-i të jetë në qeveri. Shembull, nëse i jepet rasti PDK-së dhe ajo i bën numrat, atëherë në opozitë mbeten LDK-ja dhe LV-ja. Në këtë mënyrë Kosova do të kishte përsëri një qeveri nga partitë që kanë qeverisur mandatin e kaluar. Pra, edhe kandidati i dytë për kryeministër i ka 15 ditë afat për ta formuar qeverinë e re. Nëse Kurti e konteston nominimin e Thaçit dhe e dërgon në Kushtetuese, besoj se në një periudhë të shpejtë Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë Hashim Thaçit. Një parti që i ka 25 për qind të votave nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje. Vendin në zgjedhje e çojnë vetëm 61 deputetë.
“Epoka e re”: Cilës parti do t’i konvenonin zgjedhjet e reja?
Tahiri: Nëse vendi shkon në zgjedhje mendoj se penalizohet LDK-ja, sepse më nuk mund t’i nxjerrë kandidatët për deputetë ashtu siç ka bërë herën e fundit dhe më nuk mund ta nxjerrë një kandidat konsensual për kryeministër ashtu siç e ka pasur. Po ashtu, nëse shkohet në zgjedhje dhe nëse PAN-i bëhet bashkë, atëherë LDK-së nuk do t’i vijë radha të hyjë në qeveri. Mendoj se zgjedhjet për LV-në do të ishin të favorshme. Nuk besoj se humb kjo parti, sepse i ka bërë të gjitha përpjekjet për ta bërë qeverinë dhe nëse kjo parti do të akuzonte LDK-në se ka kërkuar dy ministri më shumë, atëherë opinioni do të nervozohej më shumë kundër LDK-së dhe jo LV-së. LV-ja do të ketë hendikep sepse do të shkojë e vetme në zgjedhje dhe do ta këtë problem të rritet për disa deputetë. Ndërsa, në zgjedhje të reja PDK-ja me Nismën mund të shkojnë bashkë dhe ekziston mundësia që të dalin partia e parë dhe të ndodhë ajo që kemi parë mandatin e kaluar: PAN në qeveri dhe LV e LDK në opozitë.
Muhamet KOCI