Nëse ti je…
Poezi nga Elizabetë Qarri
Nëse ti je shiu, dua të lagem e të ndjej
vërshimin tënd mbi trupin tim të squllur.
Nëse ti je nata, dua të tretem e përhumbem
në largësitë e yjeve plot magji.
Nëse ti je dielli, dua të ngroh trupin që më dridhet
saherë ti shfaqesh pranë.
Nëse ti je era, dua të ndjej puhizën tënde
mbi gjinjtë e mi të harlisur.
Nëse ti je uji, dua t’më shuash etjen
e buzëve të thara .
Nëse ti je qielli, bardhësive të shtratit tënd
dua të të pres.
Nëse ti je deti, dua të zhytem e të prek thellësitë
e botës tënde.
Nëse ti je lumturia, dua të jem flaka që zjarrin
tënd se shuan kurrë.
Nëse ti je durimi,dua pranë teje të dorëzohem e
të të them sa shumë e jotja jam.
Nëse ti je ëndrra, dua nga gjumi të mos
zgjohem kurrë.
Nëse ti je dehja, dua të jem epshi e dashuria
që shpirtërat tanë i bën të gjallë.