Nesër 250 mjekë të Kosovës do të marrin vaksinën anti-Covid në Shqipëri

19 mars 2021 | 20:07

Nesër, 250 mjekë nga Kosova do të vaksinohen me vaksinat anti-COVID-19 në Shqipëri. Kjo vjen pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet institucioneve shëndetësore të të dyja vendeve.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), nëpërmjet një komunikate në uebfaqen e tyre zyrtare. Aty, tutje është njoftuar se do të vaksinohen edhe 250 të tjerë në ditët në vijim.

“Nesër do të vaksinohen rreth 250 punëtorët e parë ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Njoftojmë opinionin e gjerë e sidomos punëtorët shëndetësor se ashtu siç kemi paralajmëruar është arritur marrëveshja për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Kosovës në Kukës.

Nesër do të vaksinohen rreth 250 punëtorët e parë ndërsa në ditët në vijim do të vazhdohet edhe me 250 të tjerë.

Delegacioni i FSSHK-së i përbërë nga Kryetari Dr. Blerim Syla dhe Dr. Islam Krasniqi në prani të Ambasadorit të Kosovës në Shqipëri Zt. Nait Hasani sot kanë zhvilluar takim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë dhe janë dakorduar për çështjet teknike të vaksinimit të punëtorëve shëndetësor të Kosovës.

Në fund edhe njëherë FSSHK falënderon Kryeministrin Rama,stafin e Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë si dhe Ambasadorin e Kosovës në Shqipëri Zt. Nait Hasani për angazhimin e pashoq.

Për informatën tuaj në Kukës është duke u përgatitur një hapësirë e veçantë për vaksinimin e punëtorëve shëndetësor të Kosovës edhe pse në këto orë të vona të natës.

Me respekt,
Dr.Blerim Syla
Kryetari i FSSHK

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shitet toka 1 hektar e 72 ari Çmimi 1500 euro…