Nesër afati i fundit, 400 zyrtarë ende nuk e kanë deklaruar pasurinë
Prej 4700 zyrtarëve të lartë publikë që janë të obliguar ta deklarojnë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsion, deri më tani një gjë të tillë e kanë bërë rreth 4300 zyrtarë.
Sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit, ky afat llogaritet në përputhje me Ligjin për procedurën e përgjithshme administrative.
Në një përgjigje dhënë “KosovaPress”-it, Afrim Atashi, drejtor i Departamentit për Deklarim të Pasurisë, ka treguar se sa persona deri më tani kanë deklaruar pasurinë e tyre, ashtu edhe siç është e paraparë me ligj.
“Ju njoftojmë se dita e fundit e deklarimit të pasurisë është nesër (e hënë) me 1 prill 2019, deri më tani detyrim për deklarim të pasurisë e kanë përmbushur rreth 4300 zyrtarë të lartë publik”, ka thënë ai.
Ani pse nuk ka treguar se sa është numri i zyrtarëve të lartë publik, që nuk kanë dorëzuar ende formularët, ai ka thënë se brenda tri ditëve do të publikohet lista e zyrtarëve që nuk e kanë deklaruar pasurinë.
“Agjencia menjëherë pas përfundimit të afatit fillon me procedurat e verifikimit dhe brenda 2-3 ditëve publikon listën njoftuese për zyrtaret që nuk e kanë deklaruar pasurinë”, ka theksuar Atashi.
Procesi i deklarimit të pasurisë për vitin 2019, ka filluar më 1 mars dhe përfundon më datën 31 të këtij muaji.