Nesër Çekia mbyll restorantet, baret dhe shkollat

13 tetor 2020 | 08:26

Që nga nesër, datë 14 tetor, Republika Çeke shtrëngon masat kufizuese kundër koronavirusit. Ky vend në javët e fundit ka regjistruar rritjen më të shpejtë të rasteve në Evropë për kokë banori.

Mbrëmjen e së hënës qeveria çeke njoftoi se nga 14 tetori të gjitha restorantet, baret dhe klubet do të mbyllen deri më 3 nëntor.

Të gjitha shkollat, përveç kopshteve, do të mbyllen deri më 2 nëntor dhe do të kalojnë në mësime online.

Tubimet e njerëzve në publik do të kufizohen në gjashtë veta.

Qeveria çeke ka ndërmarrë disa masa kufizuese edhe javën e kaluar, përfshirë mbylljen e palestrave, pishinave, kinemave, teatrove dhe muzeve.

Kryeministri çek Andrej Babis tha se më 3 nëntor masat do të rivlerësohen, zgjaten, modifikohen ose shfuqizohen.

Javën e kaluar Çekia ka regjistruar rekord të rasteve me koronavirus brenda një dite: mbi 8 600, ndërsa numri i pacientëve të shtruar në spitale është rritur për 76 për qind, përkatësisht në mbi 2 000.

Ky vend aktualisht ka të konfirmuara mbi 121 400 raste me koronavirus. Prej këtyre, mbi 62 000 raste mbeten aktive. Numri i viktimave aktualisht qëndron në 1 051.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kuvendin e Kosovës sot do të mblidhen gjashtë komisione…