Nesër do të mbahet testi i maturës
Mbi 26 mijë maturantë nesër do t’i nënshtrohen Testit të Maturës. Përgatitjet që ky testim të zhvillohet tashmë i kanë bërë edhe komunat e Kosovës dhe Ministria e Arsimit.
Testi do të zhvillohet në 184 qendra testuese në të gjithë vendin, derisa në secilën klasë për shkak të mbrojtjes nga Covid-19 nuk do të lejohen më shumë se 12 nxënës që duhet të jenë të pajisur me maska mbrojtëse.
Për të njëjtën arsye këtë vit testimi do të jetë vetëm në një ditë, ku nxënësit do të kenë 100 pyetje nga katër lëndë me pragun e kalueshmërisë prej 40 pikëve.
Për administrimin e Testit të Maturës, Ministria e Arsimit ka angazhuar mbi 2 mijë e 500 administrues, derisa do të largohen nga testimi ata nxënës që do të zihen me telefona në qendrat e testimit.
Komunat kanë bërë përgatitjet që objektet shkollore të jenë të dezinfektuara dhe të jenë të pajisura me dezinfektues për nxënësit dhe personelin tjetër që do të jenë në qendrat e testimit.
Besim Avdimetaj, kryesuesi i Drejtorëve Komunalë të Arsimit, njëherësh Drejtor i Arsimit në Komunën e Pejës, ka deklaruar se të gjitha komunat kanë bërë përgatitjet për mbajtjen e Testit të Maturës.
Ai për “KosovaPress” ka deklaruar se besojnë që procesi i testimit do të shkojë në rregull, edhe pse po organizohet në një kohë pandemie. “Të gjitha komunat janë të përgatitura për të mbajtur Testin e Maturës me datën 29. Janë caktuar administruesit dhe ekipet monitoruese, si dhe testet janë të përgatitura dhe do të respektohen masat të cilat janë paraparë nga Këshilli Shtetëror i Maturës të jenë të pajisur me maska dhe dezinfektues të gjitha shkollat. Shpresojmë që Testi i Maturës do të kalojë kësaj radhe me sukses edhe pse është një gjendje mjaft e rënduar nga pandemia”, ka deklaruar ai.
Edhe Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit Nazmi Gagica ka thënë se janë të gatshëm që ky testim të mbahet ditën e shtunë. “Ne edhe në kohën kur është anuluar Testi i Maturës ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet. Kemi qenë të gatshëm dhe pothuajse jemi të gatshëm që të mbajmë Testin e Maturës, jemi të përgatitur kemi mbi 1 mijë nxënës të cilët do t’i nënshtrohen. Pra, jemi të përgatitur në të gjitha shkollat dhe besojmë e shpresojmë që nuk do të kemi probleme”, ka deklaruar Gagica.
Testit të maturës do t’i nënshtrohen 26 mijë e 817 maturantë në nivel vendi. Ky testim ishte paraparë të mbahet më 4 korrik, por që është shtyrë për shkak të rritjes së numrit të rasteve të infektuar me Covid-19./ KP/