Nesër, e enjte, fillon testimi i vaksinës së parë në njerëz
Testimi në njerëz i një vaksine të mundshme kundër koronavirusit në Britaninë e Madhe do të fillojë të enjten ka bërë me dije sekretari britanik i Shëndetësisë, Matt Hancock.
Vaksina, e cila llogaritet si potenciale në luftimin e Covid-19, u zhvillua në Universitetin e Oksfordit.
Hancock thotë se qeveria do të japë 20 milionë funta për ekipin e Oksfordit për t’i financuar provat e tyre klinike. Kjo është vaksina e parë e prodhuar në Britani që do të testohet në njerëz derisa ka shpresë të madhe se do të jetë çelësi i zhbllokimit të situatës aktuale duke e mposhtur koronavirusin.
Britania e Madhe ka 125 000 njerëz të infektuar dhe 17 339 të vdekur dhe me situatën aktuale mendohet se ajo do të jetë nga vendet më të goditura nga Covid-19.
Ministri tha se zhvillimi i vaksinave është një ‘shkencë e pasigurt’ e cila zakonisht kërkon kohë disa vite, por që kapaciteti prodhues do të rritet nëse testimet do të jenë të suksesshme.